Ministrja e Industrisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari, ka ndryshuar postimin ku tregoi se në aksidentin që kishte shkaktuar ajo vetë ‘’një fëmijë ishte përplasur në veturën e saj’’, postim ky që zgjoi reagime të shumta.

E si duket ishin këto reagime që ‘’i ndryshuan mendjen’’ Hajdarit.

Ajo e zbuti pak rastin.

Tani tha se ‘’ papritmas u shfaqën dy fëmijë në vrapim për të kaluar rrugën, ku fatkeqsisht njëri nga ta u përplas anash në veturën time’’, nga ‘’papritmas u shfaqën dy fëmijë në vrapim për të kaluar rrugën, ku fatkeqsisht njëri nga ta u përplas në veturën tim’’, siç tha më herët.

Madje historia e ndryshimit mund të shihet nga publiku, por ende nuk dihet përse Hajdari ndryshoi atë kur vetë ishte kryeprotagoniste në këtë ngjarje.

Reagimet për postimin e parë ndaj Hajdarit ishin të shumta, madje kishte edhe nga ta që ironizonin me të.

Kujtojmë se raporti i policisë tha diçka krejt tjetër, që linte të nënkuptohej se fajtore ishte Hajdari.

Në këtë raport thuhej se shpejtësia e lejuar ishte tejkaluar nga shoferi i veturës.

“Me datë 10.04.2022 rreth orës 12:25 në rrugën “Vicianum” në Prishtinë ka ndodhur një aksident trafiku me lëndime. Auto 1 Ford Fiesta ngjyrë e kaltër, shofer Rozeta Hajdari FSHK e lindur *. Këmbësori i lënduar I.B. i lindur me ** 2012 në Prishtinë. Shkaku i aksidentit, mospërshtatja e shpejtësisë kushteve të rrugës”, thuhet në raportin e Policisë.