Ministrja Gërvalla-Schwarz po hetohet nga Prokuroria për mosdeklarim të pasurisë

Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës dhe zv.kryeministrja Donika Gërvalla-Schwarz po hetohet nga Prokuroria Themelore në Prishtinë për mosdeklarim të pasurisë.

Gërvalla është njëra nga ministret e Qeverisë Kurti II e cila po hetohet nga kjo prokurori.

E para e MPJD-së në Kosovë po hetohet pikërisht për mos deklarim të pasurisë.

Kjo është konfirmuar për lajmi.net, nga zëdhënësja e Prokurorisë Themelore në Prishtinë, Laureta Ulaj.

“Referuar pyetjeve tuaja, lidhur me kallëzimin penal kundër D.G., në drejtim të veprës penale “Mos raportimi ose raportimi i rremë i pasurisë, i të ardhurave, i dhuratave, i dobisë tjetër materiale ose i detyrimeve financiare”, iu njoftojmë se rasti është në fazën e hetimeve”,u tha në përgjigjen e Ulajt.

Ndryshe më parë ishte raportuar se ministrja Gërvalla nuk kishte deklaruar dy pozita: Një në biznesin e saj në Gjermani, si dhe tjetrin në një OJQ në Kosovë.

Po ashtu e njëjta nuk ka treguar për pasurinë e burrit dhe fëmijëve të saj, në deklarimin që kishte bërë në kuadër të Agjencisë Kundër Korrupsionit.

Ministrja nuk ka bërë deklarimin e saktë në AKK dhe njëkohësisht një veprim i tillë nuk është në përputhje me ligjin.

Por probleme të ngjashme me ligjin nuk ka vetëm ministrja Gërvalla.

Është ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari e cila po përballet tashmë me një aktakuzë të ngritur për mosdeklarim të pasurisë.

Në mars të këtij viti, Agjencia Kundër Korrupsionit kishte dorëzuar kallëzim penal kundër ministres së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hjadari.

Në një përgjigje të dhënë asokohe për lajmi.net, nga drejtori i Agjencisë Kundër Korrupsionit, Yll Buleshkaj u tha se institucioni të cilin ai e drejton ka dorëzuar kallëzim penal ndaj ministres Hajdari.

Po ashtu u theksua se ky kallëzim penal ka të bëjë me mos raportim, apo raportim të rremë të pasurisë.

“Ju njoftojmë se Agjencia kundër Korrupsionit (AKK), për zyrtarin në fjalë ka përcjell kallëzim penal në Zyrën e Kryeprokurorit të Shtetit lidhur me veprën penale “Mos raportimi ose raportimi i rremë i pasurisë, i të ardhurave, i dhuratave i dobisë tjetër materiale ose i detyrimeve financiare” nga neni 430 paragrafi 1 të Kodit Penal të Kosovës”, pati deklaruar Buleshkaj.

E lidhur me këtë, vetë ministrja Hajdari ka thënë se e merr përsipër përgjegjësinë e vonesës në deklarim.

“Më vjen mirë që ekziston një ligj. E marr përsipër përgjegjësinë e vonesës në deklarim dhe më vjen mirë që nuk ngritet një akuzë për mua për vjedhje, për shpifje, për shfrytëzim të parasë publike, për votat parlamentare të juaj, për zgjedhjet e të gjitha të tjerat”, deklaroi Hajdari.

Por për dallim nga ajo, zv/kryeministrja e parë, Donika Gërvalla ka zgjedhur që çdoherë këtë çështje e shumë “probleme” të tjera që ka shfaqur ministria të cilën ajo e drejton ka vazhduar të rri e heshtur, pa u deklaruar fare në lidhje me këto zhvillime.