Që nga java e kaluar, Ambasada e Kosovës në Australi ka mbetur pa asnjë përfaqësues diplomatik. Hajdin Abazi, ambasadori tashmë i shkarkuar me dekret të Presidentes Vjosa Osmani, ishte diplomati i vetëm i shtetit kosovar në këtë vend të largët të oqeanisë.
Ish-ambasadori Abazi ka konfirmuar për Gazetën Online “Reporteri.net”, se Ambasada e Kosovës në Kanberra pa diplomatë të çfarëdo gradeje.
“Rasti i Ambasadës sonë në Australi është tepër specifik dhe, me “lirimin tim nga detyra”, është bërë një gabim i pashembullt. Nga fundi i muajit shkurt 2021 kam mbetë i vetëm në Ambasadë, pra pa asnjë diplomat tjetër. Logjika e donte që MPJD të dërgonte një diplomat, që të plotësohej ky vakum ne Ambasadën e Kosovës në Australi”, tha Abazi për Reporteri.net.
Abazi, tha Kosova ka vetëm objekt të ambasadës, por pa ndonjë diplomat në Australi.
Për këtë çështje sot në Komisionin për Punë të Jashtme ka folur ministrja e Jashtme, Donika Gërvalla, e cila ka thënë se ambasadorin në Australi do ta emërojë brenda afatit të duhur kohor.
“Vakum institucional nuk ka. Asutralisë s’kam çka i bëjë, çështjen e ambasadorit në Australi e kam trashëguar. Në koordinim me Qeverinë do të emërojmë një ambasadorë të ri. Asutralia, Japonia, Britania e Madhe nuk kemi gjetur ambasadorë. Nuk krijohen ambasadorët në një kohë të shkurtë. Në Australi ambasadori i ri do të shkojë brenda afatit”, ka thënë Gërvalla.
Kujtojmë që ditë më parë me anë të dekreteve të Presidentes Osmani e pas rekomandimeve të MPJD-së u shkarkuan 12 ambasadorë të Kosovës.
Kundër këtyre vendimeve, u deklaruan partitë opozitare, PDK e AAK, të cilët e vlerësuan si hap të ngutshëm.







