Ministrja Gërvalla: Asnjë vend në rajon dhe kudo në Europë, nuk është mbështetës ndaj BE-së dhe NATO-s si Kosova

Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, së bashku me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti dhe drejtorin e Fondacionit Friedrich Ebert Stiftung për Kosovë, René Schlee, morën pjesë sot në hapjen e edicionit të shtatë të Shkollës Diplomatike që po zhvillohet në Pejë.

Me këtë rast Gërvalla tha se në një botë ku ndryshimi dinamik është një prej dukurive kryesore, është thelbësore që të mblidhen përfaqësues të fushave të ndryshme nga vende të ndryshme, për shkëmbim përvojash dhe dialog mbi botën në të cilën po jetojmë, sfidat aktuale dhe të ardhshme.

Gërvalla u ka shpjeguar diplomatëve të huaj traditat dhe veçantitë e vendit.

“Kosova është një vend i vogël, por shumë i veçantë. Ne nuk jemi vetëm vendi më i ri në Evropë. Ne gjithashtu kemi popullsinë më të re sipas moshës. Asnjë vend në rajon, madje as kudo tjetër në Evropë, nuk është aq mbështetës ndaj BE-së dhe NATO-s. Në sondazhet e fundit ne regjistruam mbështetje për këto dy struktura kryesore ndërkombëtare me më shumë se 90% të qytetarëve. Kjo është unike, dhe kjo përfaqëson vullnetin e njerëzve tanë dhe strategjinë e qeverisë sonë”, ka thënë ajo.

Ajo gjithashtu ka folur për aspiratat dhe angazhimin e Kosovës për integrim në strukturat Euro-Atlantike.

Ministrja Gërvalla tutje thekoi se Kosova po punon me shumë partnerë në të gjithë globin për të zhvilluar dhe thelluar bashkëpunimin e ndërsjellë.