Ministrja e shtetit afrikan që ishte përfshirë në skandalin e blejres së ‘çnjohjes’, e quan Kosovën shtet

“Kosova dhe Serbia duhet të gjejnë zgjidhje konsensuale për zgjidhjen e situatës në Kosovë”. Kështu raportohet të ketë thënë ministrja e Jashtme e Republikës së Afrikës Qendrore, Silvi Baipo-Temon.

Ajo në një intervistë për Sputnik ka thënë se për këtë temë është folur shumë në media.

“Qëndrimi i Republikës së Afrikës Qendrore është shumë i qartë, pasi që ne si shtet jemi ata që pikërisht e kemi tejkaluar krizën”, ka thënë ajo, transmeton Ballkani.info.

“Zgjidhja e krizë tonë është arritur duke iu falëmnderuar dëshirës së qartë që paqësisht të zgjidhet problemi, përmes dialogut. Pa marrë parasysh se a flitet tash për situatën në Kosovë dhe në Serbi, apo në ndonjë shtet tjetër, qëndrimi i CAR (Republika e Afrikës Qendrore) është se duhet të gjendet konsensusi. Në lidhje me këtë po vazhdon procesi nën ndërmjetësimin e BE-së, qëllimi i së cilës është gjetja e zgjidhjes paqësore për të dyja shtetet, prandaj vendimi i CAR është i drejtuar në këtë rrafsh në mënyrë që të stimulohen të dyja palet për dialog, që të gjendet zgjidhja e cila do të ishte në të mirë të të dy popujve”, ka thënë Baipo-Temon.

Në fakt, ajo askun nuk e përmend tërheqjen e njohjës për Kosovën nga CAR, ashtu siç është raportuar në muajin gusht të këtij viti nga mediat serbe, duke iu referuar deklaratës së Ivica Daçiqit, shefit të diplomacisë serbe.

Po ashtu Baipo-Temon Kosovës i referohet si SHTET, kur flet për raportet ndërmjet dy shteteve, Kosovës dhe Serbisë.

Të kujtojmë se pak ditë pas lajmit nga Daçiq se Republika e Afrikës Qendrore e kishte tërhequr njohjen ndaj Kosovës, u zbuluar skandali nga mediat e këtij shteti.

Mediumi afrikan CNC raportoi se rreth 340 mijë dollarë kishte paguar Serbia për ta blerë letrën që e revokon njohjen e pavarësisë së Kosovës nga Republika e Afrikës Qendrore. CNC raportoi për takimin sekret në Francë të ministres së Jashtme të Afrikës Qendrore, Baipo-Temon me këshilltarin e Daçiqit të emëruar me nofkën ‘Vlad’.

Vladimiri apo ‘Vladi’ thuhet se është emisari sekret i Daçiqit që e ka ngarkuar me detyrë në Afrikë, që të lobojë kundër Kosovës duke i korruptuar zyrtarët që janë të gatshëm për t’u korruptuar me para të majme.

Diplomacia serbe e udhëhequr nga Ivica Daçiq po e vazhdon fushatën e egër kundër pavarësisë së Republikës së Kosovës, duke pretenduar se shtete të ndryshme kryesisht afrikane kanë tërhequr njohjen për pavarësinë, shkruan Ballkani.info.

Në korrik të këtij viti në Serbi ishte prezantuar një dokument përmes të cilit Daçiq thoshte se Republika e Afrikës Qendrore ka tërhequr vendimin për njohjen e pavarësisë së Kosovës.

Por gjithçka rreth tërheqjes së kësaj njohje po del të jetë një skandal në diplomacinë e Republikës së Afrikës Qendrore.

Mediumi CNC nga Afrika Qendrore pas disa hulumtimeve të bëra ka zbuluar se si një i këshilltar i Ivica Daçiqit i njohur me nofkën ‘Vlad’, kishte takuar në Francë në mes të korrikut ministren e Punëve të Jashtme të Afrikës Qendrore, Sylvie Baipo Temon.

Në këtë takim këshilltari i Daçiqit i kishte ofruar ministres së Afrikës Qendrore një shumë prej 200 milionë frangave të Afrikës Qendrore që përkthyer në dollarë i bie diku rreth 340 mijë dollarë amerikan, në këmbim të letrës së tërheqjes së njohjes për pavarësinë e Kosovës.

Menjëherë pas këtij takimi në mediat serbe ishte shfaqur ministri i Punëve të Jashtme të Serbisë, Ivica Daçiq me letrën për çnjohjen e pavarësisë së Republikës së Kosovës në dorë, ndërkohë thonë se ministrja e Afrikës Qendrore ishte kthyer fshehurazi në shtetin e saj më 24 korrik, pas takimit që kishte pasur me këshilltarin e Daçiqit, i cili thuhet se është caktuar për misionet sekrete të Serbisë në Afrikë.

Siç shkruan CNC fakti që habit të gjithë është se as kryeministri e as presidenti i Republikës së Afrikës Qendrore, nuk janë konsultuar nga ministrja e Punëve të Jashtme, për vendimin që mediumi afrikan e quan si personal të saj për tërheqjen e njohjes për pavarësinë e Kosovës.

Ndërkohë në këto pazare thuhet se është përfshirë edhe Rusia dhe ministri i Jashtëm i Rusisë, Sergei Lavrov, i cili ka vendosur ta mbështes ministren Sylvie Baipo Temon, duke i bërë presion qeverisë së Afrikës Qendrore që të pajtohej me letrën ku pretendohet tërheqja e njohjes për pavarësinë e Republikës së Kosovës.

Por ky nuk është skandali i vetëm në të cilin është përfshirë ministrja afrikane. CNC në këtë hulumtim të skandaleve të diplomacisë të Republikës së Afrikës Qendrore shkruan se ministrja e Jashtme është e përfshirë edhe në afera të ndryshme korruptive.

Gjithashtu ministrja afrikane thuhet se në mënyrë jo ligjore u ka siguruar familjarëve të saj pasaporta të falsifikuara diplomatike.

Të gjithë këto skandale të diplomacisë afrikane sipas këtij mediumi janë duke lëkundur qeverinë e kryeministrit të Republikës së Afrikës Qendrore Firmin NGRÉBADA. /Ballkani.info/

loading…