Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Meliza Haradinaj Stublla, ka thënë sot se kryesimi i radhës i Gjermanisë me Bashkimin Evropian shënon moment kthese dhe definimi edhe për proceset e lidhura me Kosovën.

“Është një moment kthese e definimi, me shpresa të rikthyera tek qytetarët tanë se gjatë presidencës gjermane me Bashkimit Evropian do të mbyllet suksesshëm lëvizja e lirë për Kosovën”, ka thënë Ministrja Haradinaj Stublla.

Kryediplomatja Haradinaj Stublla tha se korriku 2020 shënon edhe dy vjetorin prej kur Komisioni Evropian ka konfirmuar që Kosova ka përmbushur të gjitha kriteret e kërkuara për liberalizmin e vizave për qytetarët e Kosovës.

Ajo tutje ka thënë se pritjet e Kosovës përgjatë presidencës gjermane janë shumë të mëdha.

“Pritjet tona janë të larta për këtë mandat. Energjia dhe vëmendja e Gjermanisë gjithmonë ka qenë lajm i mirë për Kosovën”, ka thënë ajo,  duke shtuar se Kosova qëndron më e fuqishme në rajon dhe në të gjitha proceset integruese në Evropë me Gjermaninë si lidere.