Ministrja e Jashtme citon Haradinajn: S’ka mik më të mirë se FSK dhe s’do ketë armik më të keq se FSK

Ministrja e Jashtme e Kosovës, Meliza Haradinaj-Stublla, ka thënë se vendimi për dërgimin e FSK-së në shërbim jashtë vendit është besim për trupat e Kosovës.

“Ftesa e Gardës Kombëtare të IOËA-s për Forcën e Sigurisë së Kosovës e tetorit të vitit 2019, përmes komandës qendrore të SHBA-ve (USCENTCOM) për bashkëpunim në fushën e mbrojtjes, për të zbarkuar në misione të përbashkëta paqeruajtëse në disa vende të botës, është jo vetëm përkrahje e fuqishme strategjike për ushtrinë më të re në Ballkan, por edhe besim i jashtëzakonshëm për profesionalizmin e FSK-së sonë”, ka shkruar ajo.

“Aprovimi në Qeveri i këtij vendimi të jashtëzakonshëm dhe miratimi i sotëm nga Kuvendi i Republikës së Kosovës, është ndër elementet më thelbësore të tranzicionit të FSK-së, pas votimit të pakos së ligjeve për ushtrinë në vitin 2018”.

Haradinaj ka cituar edhe shefin e saj të partisë, Ramush Haradinajn.

“Shfrytëzoj rastin të citoj disa rreshta nga fjalimi monumental i Kryeministrit Ramush Haradinaj në ceremoninë zyrtare të formimit të Ushtrisë së Kosovës në dhjetor të vitit 2018:

“Ne vijmë të fundit në rreshtin e ushtrive të paqes dhe do të dalim të fundit prej këtij rreshti. SHBA-të i prijnë rreshtit të ushtrive të paqes në botë dhe ne e kemi nder që të rreshtohemi krah Amerikës. Ne do t’i qendrojmë besnikë miqve tanë. I marr një fjalë gjeneralit Mattis kur thoshte: Nuk ka mik më të mirë se marinsat, dhe nuk ka armik më të keq. E unë po them: Nuk ka mik më të mirë se FSK dhe nuk do të ketë armik më të keq se FSK. Sot janë gëzuar edhe ushtarët e Ibrahim Rugovës, po ashtu janë gëzuar edhe ushtarët e Adem Jasharit””, ka thënë ajo.