Ministrja e Financave sqaron SMS-in që shkaktoi shumë mllef: Lista erdhi me gabime nga MPMS-ja, kam kërkuar llogari për këtë lëshim

Ministrja e Financave, Hykmete Bajrami, ka sqaruar situatën e kryerjes së pagesave, për të cilat kishte pasur shumë ankesa nga qytetarët.

Shumë persona u ankuan se fillimisht kishin marrë mesazhin për marrjen e mjeteve nga MF’ja, por më vonë u ka ardhur një mesazh se ka ndodhur një gabim teknik dhe ata nuk janë përfituesit.

Bajrami ka thënë se ka ardhur një listë me gabime nga Ministria e Punës dhe Mirëqënies Sociale, dhe ka shtuar se do të kërkohet llogari për këto lëshime.

“Sot, disa qytetarë të Republikës së Kosovës kanë pranuar GABIMISHT një mesazh se janë përfitues të masës 15. Ky GABIM ka ndodhur pasi Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale, përgjegjëse për masën 15 të Pakos Emergjente, ka dërguar listën jo të SAKTË në Ministrinë e Financave. Pasi janë dërguar mesazhet telefonike, Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale na ka njoftuar se ka dërguar listën e gabuar. Menjëherë është përmirësuar ky gabim dhe secilit qytetar i është dërguar edhe mesazhi sqaruar dhe kërkim falja”, ka thënë ajo.

“Edhe tash kërkoj falje secilit qytetar dhe ju njoftoj se kam kërkuar përgjegjësi hierarkike dhe politike për këtë lëshim. Do të ketë llogaridhënie prej secilit person të përfshirë në këtë rast. Kam kërkuar edhe përgjegjësi politike dhe për këtë problem është njoftuar edhe Kryeministri Hoti. Për çfarëdo sqarimi tjetër mund të drejtoheni në Qendrën për Punë Sociale në komunën ku jetoni”, ka sqaruar Bajrami.

“Gabimet e tilla do t’i eliminojmë dhe do të vazhdojmë pagesën për të gjitha pikat e Pakos Emergjente”, ka thënë tutje Bajrami.