Arbërie Nagavci e drejton një prej institucioneve më të rëndësishme në vend. Ajo është Ministre e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, por shpeshherë bën gabime të shumta në drejtshkrimin e gjuhës shqipe.
Kjo vërehet edhe në një postim të publikuar nga vetë ajo në rrjetin social Facebook, ku shihet se ka bërë disa gabime në drejtshkrim
“Momentalisht janë 39 fëmijë që jetojnë në SOS Familje, 34 prej të cilëve janë nxënës. Si Ministri do të kujdesemi që të mos iu mungojë asgjë gjatë arsimimit, për t’iu dhënë mundësinë që të pavarësohen dhe të kenë të ardhme ku mund të realizojnë dëshirat dhe ëndrrat e tyre”, ka shkruar Nagavci.
Por, është profesori Ilmi Rexhepi, i cili adreson shpesh gabimet drejtshkrimore që bëjnë politikanët në rrjete sociale, ai që ka vërejtur se Nagavci ka shkruar “që të mos iu mungojë” në vend të “që të mos u mungojë” dhe “për t’iu dhënë mundësinë” në vend të “për t’u dhënë mundësinë”.
Përmes një shkrimi në faqen “Vërejtje dhe rregulla gramatikore”, Rexhepi ka thënë se ministrja Nagavci “të përfaqësojë arsimin dhe jo gabimin”.
Postimi i tij:
Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, shkruan:
“Momentalisht janë 39 fëmijë që jetojnë në SOS Familje, 34 prej të cilëve janë nxënës. Si Ministri do të kujdesemi që të mos iu mungojë asgjë gjatë arsimimit, për t’iu dhënë mundësinë që të pavarësohen dhe të kenë të ardhme ku mund të realizojnë dëshirat dhe ëndrrat e tyre.”
-që të mos iu mungojë
-për t’iu dhënë mundësinë
Duhet të shkruante:
-që të mos u mungojë
-për t’u dhënë mundësinë
Shkronja “i” tek të dyja fjalitë është e tepërt. Nuk përbën dot trajtë të shkurtër përemri vetor, sepse nuk ka kujt t’i kthehet (referohet): atyre të mos u mungojë/për t’u dhënë atyre mundësinë; i-ja nuk ka vend, nuk ka referent.
Përdorimi i tepërt i i-së në këto ndërtime, mund të provojë ta arsyetojë ndokush ministren, përbën gabim të përhapur shumë. Këtij i them që ministrja është emëruar të përfaqësojë arsimin dhe jo gabimin.







