Ministrja e Arsimit: MAShTI iu ofroi shkollë në shtëpi 234 mijë nxënësve, andaj qëndroni në shtëpi

Ministrja në detyrë e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Hykmete Bajrami, ka shkruar në Facebook se MAShTI iu ka ofruar shkollë në shtëpi 234 mijë nxënësve

“Falë punës ekipore dhe vullnetarëve të shumtë, të cilët po punojnë pa kursyer asgjë, MAShTI ka arritur që 234 mijë nxënësve t’ua dërgojë shkollën në shtëpi. Janë mbi 200 mësimdhënës, vullnetarë dhe zyrtarë të Ministrisë, të cilët po punojnë vikendeve e festave që kjo të bëhet e mundur. Janë këta që po rrezikojnë jetët e tyre që ju të mësoni nga shtëpia”, ka shkruar Bajrami në Facebook.

Tutje Bajrami thotë se sipas rekomandimeve të institucioneve shëndetësore, duhet të rritet kujdesi e kjo mund të bëhet duke qëendruar në shtëpi.

“Po kalojmë në një situatë të rënduar të emergjencës shëndetësore. Numri i rasteve të të prekurve me virusin corona është rritur. Sipas rekomandimeve të institucioneve shëndetësore, ne duhet ta rrisim kujdesin maksimalisht, të respektojmë masat parandaluese dhe së bashku të kontribuojmë në luftimin e pandemisë. Sa më shumë që të rrisim kujdesin për veten dhe familjet tona duke qëndruar në shtëpi, aq më shpejt do ta tejkalojmë këtë situatë dhe t’i kthehemi normalitetit”, ka shkruar Bajrami.

Ajo ka theksuar se me mbylljen e shkollave që nga 12 marsi, asnjëherë nuk është ndërprerë procesi mësimor.

“Siç e dini nga data 12 mars 2020, ne jemi detyruar t’i mbyllim shkollat për të gjitha institucionet edukative-arsimore në vendin tonë. Në këtë mënyrë ne kemi ndërprerë mësimin konvencional por assesi nuk e kemi ndërprerë procesin mësimor, sepse menjëherë kemi filluar me organizimin e mësimit në distancë”, ka shkruar Bajrami.