Ministrja e Financave, Hykmete Bajrami po e zhvendos fajin për vjedhjen e mbi 2 milionë eurove tani tek ministria e Infrastrukturës, ministri kjo që udhëhiqet nga bashkë partiaku i tij Arban Abrashi.

Bajrami gjatë raportimit para Komisionit për Buxhet dhe Financa në Kuvendin e Kosovës e ka pranuar se skandali i avullimit të mbi 2 milionë eurove nuk ka qenë atakim kibernetik, por vjedhje klasike që e ka kryer zyrtari i Ministrisë së Financave nga kontratat e Ministrisë së Infrastrukturës.

Por ajo tha se nuk e din ende arsyen se pse Ministria e Infrastrukturës edhe pas disa ditëve që ju kishte “zhdukur” buxheti nuk e kishte lajmëruar Ministrinë e Financave.

“Secila organizatë buxhetore e sheh në kohë reale buxhetin e saj për secilin projekt dhe unë jam e habitur se si zyrtarët përgjegjës të Ministrisë Infrastrukturës nga ku janë marrë mjetet, nuk e kanë njoftuar menjëherë Ministrinë e Financave. Tani kjo çështje është në organet e drejtësisë dhe pritet të sqarohet çdo detaj”, ka thënë ndër të tjera ministrja Bajrami.

Ministra Bajrami po ashtu tregoi se aktualisht janë bllokuar rreth 550 mijë euro ku janë bërë transaksionet, po ashtu janë konfiskuar tri vetura.

“Deri më ta i janë bllokuar mbi 560 mijë eurove nëpër llogari ku janë bërë transaksionet si dhe kemi konfiskuar tri vetura. Ne shpresojmë që mjetet kanë me u kthye dhe besojmë që edhe organizatorët e këtij krimi do të marrin dënimin e merituar. Dhe në të kundërtën është vështirë me qenë në krye të institucioneve”, tha Bajrami.

Kujtojmë se të akuzuar për këtë vjedhje të mbi 2 milionë eurove nga Thesari i Shtetit po akuzohen Labinot Gruda, Kadri Shala dhe Veton Shala.