Ministria e Sportit po e shkel edhe ligjin për OJQ, po tenton me çdo kusht të ndërhyjë në punët e Federatës duke e rrezikuar përjashtimin nga UEFA e FIFA

Sporti kosovar po hynë në një fazë tejet delikate madje duke rrezikuar në masë të madhe edhe penalizmin nga Federatat Ndërkombëtare, shkruan Gazeta Sport.

Është Ministria e Sportit e cila kohëve të fundit po ndërhynë direkt në punët e Federatës së Futbollit të Kosovës duke e kërcënuar se nuk do ta licencojë në mënyrë që t’ua bllokojë sponsorët edhe klubeve.

Ministri Hajrulla Çeku, pavarësisht se e ka të qartë se ndërhyrja e politikës në sport çon direkt në pezullimin e futbollit nga FIFA e UEFA, ai vazhdon të këmbëngulë për ta shpallur të pavlefshëm Kuvendin e FFK-së, ani pse dy gjykata për Ankesa nuk kishin gjetur shkelje, madje edhe tre anëtarët e Ministrisë që ishin prezentë në Kuvend në raportin e tyre nuk kishin evidentuar asnjë shkelje.

Një tjetër ndërhyrje të madhe Ministria e Sportit po e bënë duke e shkelur edhe Ligjin për OJQ. Aty saktësisht shkruhet se “Institucionet publike nuk ndërhyjnë në të drejtat dhe liritë e OJQ-së dhe personave që ushtrojnë të drejtën e tyre për lirinë e asociimit”.

Ligji i OJQ-ve është shumë i qartë ku saktësisht shkruan se: “OJQ është e pavarur në përcaktimin e objektivave dhe aktiviteteve, në përputhje me legjislacionin në fuqi.

OJQ është e pavarur në organizimin dhe menaxhimin e saj të brendshëm, për të përcaktuar fushë veprimtarinë e saj, si dhe të veprojë në nivel lokal, kombëtar ose ndërkombëtar”.

Të kujtojmë se Kuvendi i FFK-së, ku presidenti Agim Ademi mori mbështetjen e 44 delegatëve për ta udhëhequr edhe një mandat futbollin kosovar , u vlerësuar drejt dhe si shumë i rregullt nga UEFA, FIFA dhe Komiteti Olimpik i Kosovës, dhe është befasuese sesi Ministria heziton të licencojë një federatë duke mos përfilluar as edhe vullnetin e delegatëve të cilët janë njerëz të futbollit dhe investojnë në futbollin kosovar për ta ngritur sa më lartë.

Së fundmi janë parë edhe rezultate fantastike ku Liga e Kosovës është ranguar shumë më lartë sesa Ligat e Rajonit, duke lënë mbrapa Shqipërinë, Maqedoninë, Malin e Zi e Bosnjën, dhe ky sukses nuk duhet penguar askënd e aq më pak Ministrinë e cila është e thirrur ta ndihmojë dhe ta ngrish futbollin e assesi ta pengojë zhvillimin e tij.

Gjithsesi, kjo ndërhyrje e ministritë është e qartë. Njerëzit e interesit duke mos mundur të gjejë votë tek delegatët, tashmë kanë nisur t’i përdorin institucionet për ta larguar nga pozita e presidentit Agim Ademin, por delegatët e futbollit e kanë dhënë fjalën e vet në Kuvend dhe çdo ndërhyrje do të cilësohet ndërhyrje politike dhe do ta qojë futbollin e Kosovës në përjashtim nga UEFA e FIFA. /Demokracia.com