Avni Hyseni

Ministria e Shëndetësisë: Rasti i Avni Hysenit do të hetohet deri në fund

Rrëfimi i Adnan Hysenit për vdekjen e vëllait të tij, Avni Hyseni, ka shokuar mbarë opinionin. Adnani në një rrëfim në RTV Dukagjini, akuzoi për neglizhencë Spitalin Rajonal të Pejës dhe Qendrën e Klinikës Universitare të Kosovës (QKUK).

Adnani tregoi se vëllain e dërgoi në spitalin e Pejës me dhembje koke dhe disa të ënjtura, por personeli e kishte trajtuar si një rast të zakonshëm, duke e liruar për në shtëpi pa ndonjë kontroll të detajuar, pas kësaj ata e kishin dërguar në QKUK për trajtim.

Pas këtij rrëfimi, Shërbimi Spitalor Klinik Universitar i Kosovës, mori vendim për suspendim nga puna të infermieres M.O, e cila sipas Adnan Hysenit i kishte kërkuar 48 euro për barna që kushtonin 5 euro.

SHSKUK-ja po ashtu mori vendim për shkarkimin nga detyra të shefit të mjekimit Intensiv, Naim Kuçi, duke e kthyer atë në pozitën si mjek Specialistë në Klinikën e Anestezionit dhe Mjekimit Intensiv.

Telegrafi ka kontaktuar me Ministrinë e Shëndetësisë, për të parë masat që do të ndërmerr më tej kjo ministri lidhur me këtë rast.

Nga zyra për Informim në MSH, kanë thënë se hetimi i rastit do të shkojë deri në fund.

“Sa i përket rastit të Avni Hysenit dhe deklarimeve të tij në RTV Dukagjini, është lajmëruar menjëherë inspektorati shëndetësorë i cili ka nisur të hetoj rastin.

Ndërkohë, një hetim i veçantë ka nisur edhe në SHSKUK i cili ka rezultuar me suspendimin e një infermiere dhe ndërrimit të u.d. shefit të Mjekimit Intensiv qendror.

Hetimi i rastit do të bëhet deri në fund dhe për të gjitha të gjeturat të tjera do të ju njoftojmë me kohë”, thuhet në përgjigjen e Zyrës për Informim të MSH-së.

Kujtojmë se familja Hyseni, pas vdekjes së Avni Hysenit, ka ngritur padi ndaj Spitalit Rajonal të Pejës, QKUK-së dhe Ministrisë së Shëndetësisë.

Lexo edhe: Thirrja e Adnan Hysenit për kryeministrin Haradinaj dhe ministrin Ismaili: Ndërmerrni masa