Ministria e Shëndetësisë ndan donacion qesharak për Malishevën: 30 maska, 2 litra dezinfektues…

Ministria e Shëndetësisë ka ndarë donacion si ndihmë për parandalimin dhe kontrollin e përhapjes së koronavirusit Komunës së Malishevës, që momentalisht është komuna më e prekur në Kosovë nga kjo pandemi.

Në një dokument të publikuar nga punonjësit e Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare (QKMF) në këtë komunë, i cili mban datën 24 mars 2020, shihen mjetet të cilat Ministria e Shëndetësisë i ka dhuruar sot.

Në mesin e mjeteve mbrojtëse të dhuruara sot për Komunën e Malishevës janë 30 maska, 10 qese, 5 këmisha për pacienta, 10 sete sterile (kombilizon) e të tjera.

Kjo ministri kishte dhënë donacion për Komunën e Malishevës edhe më 20 mars të këtij viti. Në donacionin e kaluar, QKMF-së në Malishevë i janë dhuruar ndër të tjera edhe 2 litra dezinfektues, 10 palë syze mbrojtëse, 50 litra alkool dhe 100 respiratorë.

Kujtojmë që Komuna e Malishevës u fut në karantinë dhjetë ditë më parë (14 mars 2020), pasi u konfirmua rasti i parë me koronavirus në këtë komunë. Deri tani nga numri total (61) i të infektuareve me koronavirus në Kosovë, 21 janë nga Malisheva.