Ministria e Punëve të Jashtme i kërkon sqarime UNMIK-ut për zyrtarin rus të arrestuar në veri

Ministri i Punëve të Jashtme, Behgjet Pacolli ka njoftuar se gjatë operacionit policor në veri të Kosovës, Policia ka arrestuar një zyrtar ndërkombëtar të UNMIK-ut, i cili është shtetas rus dhe një zyrtar tjetër lokal.

Përmes një postimi në Facebook, Pacolli ka thënë se MPJ-ja do ta trajtojë këtë çështje bazuar në të drejtën ndërkombëtare.

Pacolli ka thënë se institucioni që ai udhëheq e ka thirrur UNMIK-un për sqarime dhe do të vazhdojë të punojë ngushtë me autoritetet e zbatimit të ligjit për të sqaruar situaten e pranisë së zyrtarit ndërkombëtar dhe lokal të UNMIK-ut në barrikadë.

“Ministria e Punëve të Jashtme e Republikës së Kosovës do ta trajtojë çështjen bazuar në të drejtën ndërkombëtare. Policia e Kosovës ka njoftuar Ministrinë e Punëve të Jashtme për detajet e ngjarjes. Ministria e Punëve të Jashtme ka thirrur UNMIK-un për sqarime dhe do të vazhdojë të punojë ngushtë me autoritetet e zbatimit të ligjit për të sqaruar situaten e pranisë së zyrtarit ndërkombëtar dhe lokal të UNMIK-ut në barrikadë”, thuhet në postimin e Pacollit.

Ndërkohë, përmes një njoftimi për media të UNMIK-ut, është njoftuar se njëri nga të arrestuarit, me shtetësi ruse është liruar, ndërkohë kreu i këtij misioni në Kosovës, Zahir Tanin, ka thënë se për çfarëdo lëndimi të mundshëm të ndonjë pjesëtari të Kombeve të Bashkuara do të marrë përgjigje më të lartë diplomatike dhe ligjore.

“Çfarëdo dëmi i shkaktuar punonjësve të Kombeve të Bashkuara do të përcillet me përgjigje më të larta diplomatike dhe ndërkombëtare ligjore”, ka thënë Tanin, përcjell Ballkani.info.

Ai më tutje ka bërë thirrje që të respektohet rendi dhe ligji, duke thënë se UNMIK-u do të ndihmojë në rivendosjen e qetësisë në veri.

“Ftoj të gjitha palët t’i respektojnë parimet e sundimit të ligjit dhe dinjitetit të gjithëve për jetë dhe liri, dhe të ndihmojnë në rivendosjen e qetësisë dhe sigurisë në atë rajon”, thuhet ndër të tjera në komunikatën e lëshuar nga zyra e UNMIK-ut në Kosovë.

Ndryshe, një aksion i Policisë së Kosovës të hënën, nën udhëheqjen e kryeprokurorit të Prokurorisë Themelore të Prizrenit, Admir Shala, la nën pranga katër kontrabandistë dhe katër doganierë.

Policia ka raportuar se aksioni ka përfshirë hetime disa mujore për personat e arrestuar. Ata dyshohet se në mënyrë ilegale kanë lejuar që të futen në vendin tonë sasi të mëdha të mallit të kontrabanduar.

I njëjti aksion, mëngjesin e së martës vazhdoi edhe në disa komuna tjera të Kosovës. Operacioni policor u shtri edhe në Zveçan, Zubin Potok, Leposaviq, Mitrovicë Veriut, Drenas e Skenderaj.

Përmes një komunikate është bërë e ditur këta persona dyshohen për “Pjesëmarrje ose Organizim i Grupit Kriminal”, në lidhje me veprat tjera penale, si: “Kontrabandim me Mallra”, “Keqpërdorim i Pozitës Zyrtare”, “Dhënie e Ryshfetit”, “Tregti e Ndaluar”.

Për realizimin e këtij aksioni, Policia e Kosovës ka hasur edhe në rezistencë të armatosur. Deri më tani është raportuar se janë të plagosur katër pjesëtarë të Policisë së Kosovës.

Policia ka bërë të ditur se kjo ka rezultuar me arrestimin e disa zyrtarëve të nacionaliteteve të ndryshme, shqiptarë, serbë e boshnjakë. /Ballkani.info