Ministria e Mbrojtjes e thellon akoma më shumë skandalin – gënjen që ushtarët e FSK-së nuk nderuan varret e ushtarëve serbë

Ministria e Mbrojtjes ka dalë me një reagim për pjesëmarrjen e Gardës Ceremoniale të FSK-së në ceremoninë e 104-vjetorit të përfundimit të Luftës së Parë Botërore, në varrezat e krishtera në Arbëri të Prishtinës, ku FSK u pa gatitu pranë pllakës përkujtimore të ushtarëve të rënë sërbë në vitet 1912-18.

Anipse pamjet dëshmojnë se Garda e FSK-së nderoi ushtarët e rënë serbë, Ministria e Mbrojtjes e mohon këtë.

“Pllakat përkujtimore të të rënëve të këtyre dy kombeve, janë të vendosur në një hapësirë të përbashkët me pllakën e të rënëve serb të vitit 1912-1918, por që si ngjarje në periudhë kohore e as me aktivitetin në fjalë nuk kanë asnjë lidhje. Theksojmë edhe njëherë se Togu i Gardës Ceremoniale ka marrë pjesë si formacion mbështetës i Ambasadës franceze, nën organizimin e tyre, me qëllim nderimin e ushtarëve të rënë francez dhe gjerman”, thuhet në reagimin e tyre.

Reagimi i plotë:

Në lidhje me lajmin e publikuar nga disa medie se gjoja Togu i Gardës Ceremoniale ka bërë nderime për të rënët serb të vitit 1912, sqarojmë se nuk është e vërtetë.

Me datën 11.11.2022, Togu i Gardës Ceremoniale dhe Orkestra Frymore e FSK-së, me ftesë të Ambasadës franceze dhe Ambasadës gjermane, ka marrë pjesë në ceremoninë e organizuar për të nderuar rënien e ushtarëve francez dhe gjerman, gjatë Luftës së Parë Botërore, në periudhën 1914-1918.

Pllakat përkujtimore të të rënëve të këtyre dy kombeve, janë të vendosur në një hapësirë të përbashkët me pllakën e të rënëve serb të vitit 1912-1918, por që si ngjarje në periudhë kohore e as me aktivitetin në fjalë nuk kanë asnjë lidhje.

Theksojmë edhe njëherë se Togu i Gardës Ceremoniale ka marrë pjesë si formacion mbështetës i Ambasadës franceze, nën organizimin e tyre, me qëllim nderimin e ushtarëve të rënë francez dhe gjerman. Pozicionimi fizik i gardistëve tanë është imponuar nga pozita e pllakave memoriale dhe platosë përkatëse, dhe në asnjë formë nuk nderohen të rënët serb.

Ministria e Mbrojtjes dhe FSK nderojnë gjithmonë vetëm popujt mbrojtës të vlera të lirisë, paqes dhe demokracisë dhe assesi ata që kanë qenë faktor destabilizues në secilën etapë dhe autorë të krimeve e terrorit.