Ministria e Jashtme e Izraelit shpërndan në Twitter përkrahjen e Kosovës në konfliktin me Palestinën

Ministria e Punëve të Jashtme të Izraelit, ka shpërndarë në rrjetin social Twitter, qëndrimin zyrtar të Kosovës në lidhje me konfliktin e Izraelit me organizatën palestineze të shpallur terroriste, Hamas.


Ndërkaq, edhe drejtori i Departamentit për Euro-Azi në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Izraelit, Yacov Livne e ka falenderuar Kosovën për përkrahjen, shkruan Reporteri.net.

Livne ka shkruar “Faleminderit Kosovë!”, ndërsa e ka shpërndarë qëndrimin e Prishtinës zyrtare të shprehur në rrjetin social Twitter.

Kujtojmë se MPJ e Kosovë, të dielën përmes një postimi në rrjetin social Twitter, ka thënë se si çdo shtet,

Izraeli ka të drejtën dhe detyrimin për të mbrojtur popullin e tij.

“Si çdo shtet, Izraeli ka të drejtën dhe detyrimin për të mbrojtur popullin e tij kundër 2000 raketave të qëlluara mbi civilët vetëm nga Hamas, i cili po mban peng civilët palestinezë në luftën e tij.”, thuhet në deklaratën e MPJ-së.

Tutje, MPJ kërkon që të ndalet dhuna dhe të kërkohet një zgjidhje paqësore.

“Ne vajtojmë të gjitha viktimat. Ne kërkojmë që të përmbahemi, të ndalojmë dhunën dhe të kërkojmë zgjidhje paqësore”, thuhet në deklaratën e MPJ-së.