Ministri Zemaj tregon nëse do të mbyllet kufiri me Shqipërinë

Ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj ka folur edhe për mundësinë e mbylljes së kufirit ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë, në rast se profesionistët shëndetësor konstatojnë se po bartet virusi.

Ai ka thënë se do të kujdesen që të mos e dëmtojnë komunikim ndërmjet dy vendeve dhe as ekonominë.

“Nëse situata përkeqësohet, fatkeqësisht ne kemi ta quajmë rekomandime strikte nga IKSHPK se në dy anët e kufirit mund të ketë bartje të infeksionit, atëherë sigurisht ne do t’i trajtojmë këto tema me kujdes. Unë jam njoftuar që vetëm në dy ditët e ‘weekendit” diku 10 mijë qytetarë të Kosovës kanë kaluar në Shqipëri dhe jemi të interesuar që edhe atje të jetë sa më e ulët niveli i infeksionit sepse mund të bartet edhe këndej kufirit. Por ky është trajtim i profesionistëve por edhe në aspektin politik do ta trajtojmë me kujdes që të mos kemi ndonjë kufizim që e dëmton komunikim por edhe ekonominë e dy vendeve”, ka thënë Zemaj në Euronews Albania.

Ai ka thënë se MSH sot do të angazhojë edhe 200 profesionistë shëndetësor dhe do të ketë kontrolle më të shtuara edhe në kufi.

“Kur kam ardhur ministër, në fillim të muajit të kaluar të gjitha masat kanë qenë të hapura. Veprimi i parë që e kam marrë ka qenë lehtësimi i lëvizjes, sidomos me vendet të cilat ne jemi të rrethuar dhe qytetarëve tanë shqiptarë në tri-katër anët e kufirit tu lehtësohet qarkullimi por me mundësi që të kemi kontrolle të shtuara në pikat kufitare me personel shëndetësor. Shqyrtimi i mbylljes së kufirit nuk është pjesë e këtij vendimi të shpejt. Unë edhe ashtu kam qenë në komunikim me ministrin e Shëndetësisë së Shqipërisë, të Maqedonisë dhe Malit të Zi. Momentalisht ne jemi duke i ngritur kapacitetet e mbikëqyrjes. Sot i aktivizojmë edhe 200 profesionist shëndetësor të cilët do të merren edhe me pjesët kufitare. Po tentojmë të mos kthejmë asnjë masë e cila na rikthen në regres”, tha ai.