Ministri Vitia: Thirrja ndaj prokurorisë s’kishte të bënte me mediat

Ministri i Shëndetësisë Arben Vitia, ka thënë se thirrja e tij drejt prokurorisë pas publikimit të një lajmi nga një medium online, ishte për personat zyrtarë, por s’kishte të bënte me mediat.

Kjo sipas tij, për të parandaluar siç e quan ai një dëm potencialisht me pasoja të rënda në procesin e sigurimit të vaksinave antikovid, njofton Ballkani.Info.

”Thirja ime ndaj prokurorit për persona zyrtarë që kanë pasur qasje në informata, ishte dhe është obligim i imi edhe si qytetar për të shpërfaqur një dëm potencialisht me pasoja shumë të rënda në procesin e sigurimit të vaksinave”.

”Kjo në asnjë rast nuk ka pasur të bëj me mediat”.

”Liria e shprehjes është liri e garantuar, siç është e garantuar liria e mediave. Këtë të drejtë askush nuk mund ta pengojë dhe cenojë”.

”Ne do të përkrahim gazetarinë e pavarur dhe të përgjegjshme”.

Këto deklarata Ministri Vitia i dha sot, pas mbledhjes së Qeverisë, nga ku dhe u miratuan masat e reja antipandemi ku rezulton me një lirim të pjesshëm të kufizimeve.

Megjithatë tutje ai përsëriti qëndrimin e tij se raportimet rreth procesit për sigurim të vaksinave janë të pavërteta.

”Jemi përfshirë në kohën e fundit në një diskutim publik, i cili është i kufizuar nga një nivel i lartë i konfidencialitetit e që nuk është përcaktuar nga ne dhe është njësoj në secilin vend të botës që po kalon në këtë proces”.

”Shkelja e këtij konfidencialiteti, rrezikon negociatat e për pasojë edhe shëndetin publik të qytetarëve tanë. Andaj kërkojmë edhe besimin edhe durimin e të gjithë juve”.

”Jam i vetëdijshëm që është shumë për të kërkuar sepse mjaft kemi pritur. Por ajo që mund të garantoj është se ekipi negociues për sigurimin e vaksinave është ekip professional, i fokusuar dhe ka bërë progres të konsiderueshëm”.

”Çdo veprim i imi e sidomos i Komisionit është në përputhshmëri me ligjin. Për këtë do të bindeni së shpejti”.

”Siç e thash edhe të premten: Unë nuk mund të jap detaje të këtyre negociatave, sepse procesi i negocimit është i mbrojtur”.

”Informatat e publikuara janë informata të pjesshme të cilat nuk e tregojnë të vërtetën. Publiku tashmë ka marrë edhe një përgjigjie direkte nga kompania, por asaj përgjigjie as sonte fatkeqësisht asgjë nuk kam për t’i shtuar”.