Ministri Vitia: Po presim nga SHBA donacion prej 500 mijë vaksinave Pfizer

Ministri i Shëndetësisë Arben Vitia, ka folur sot për statistikat dhe numrin e rasteve të vdekjes, nga virusi Covid-19.

Ai madje ka apeluar tek qytetarët që të vaksinohen, derisa bëri të ditur se nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, janë duke pritur donacion prej 500 mijë vaksinash Covid-19, nga mekanizmi Pfizer.

”Sa i përket vaksinës Pfizer. Ne më shumë administrojmë sesa marrim vaksina nga kompania Pfizer. Vaksina Astra Zeneca, nuk përbën asnjë problem. Studimet e shumta tregojnë se është po aq efektive ndaj Variantit Delta sa edhe vaksinat tjera, kështu që apeloj tek qytetarët që të mos zgjedhin vetëm vaksinën Pfizer, por ta zgjedhin edhe AstraZeneca”.

”Ne po presim edhe një donacion nga SHBA, prej 500 mijë vaksinave të Pfizer, që një pjesë ka ardhë para disa ditës, 35 mijë e 100, pjesa e tjetër ka pasur disa vonesa, por me arritjen e këtyre dozave, atëherë ditëve në vazhdim do të kemi më të lehtë”.

Tutje ai ka mohuar se ka ndryshuar orari për personelin shëndetësor, duke shtuar se mjekët dhe infermierët, kanë punë të stërngarkuar – dhe si rezultat kanë kërkuar shtim të stafit të tyre.

”Sa i përket orarit për mjekët dhe infermierët, kanë punë të stërngarkuar, dhe kjo është arsyeja që ne kemi kërkuar fonde për punësimin e 1500 profesionistëve të tjerë ditëve në vijim”.