Ministri Sveçla jep kontratë një burimore rreth 15 milionë euro

Ministria e Punëve të Brendshme dhe Administratës Publike, që drejtohet nga Xhelal Sveçla, ka harxhuar rreth 15 milionë euro për furnizim me disa licenca të Microsoft-it.

Kaq është pesha e tenderit që ajo i dha kompanisë shqiptare, Infosoft system, e cila ka për obligim t`ia sjell ato për IRK dhe Edukim.

MPB ka përdor procedurën e negociuar pa publikim të njoftimit të kontratës në këtë aktivitet prokurimi.

Kontrata milionëshe është finalizuar drejtpërdrejt mes palëve.

Front Online merr vesh se tenderi është negociuar në fshehtësi dhe se kompanitë tjera të kësaj fushe që do të mund të aplikonin nuk kanë qenë fare në dijeni për të.

Tenderët një burimor si ky – kufizojnë konkurrencën – teksa rrisin mundësinë për çmime më të larta.

Vetëvendosja, familja politike të cilës i takon ministri Sveçla, sa ishte në opozitë kishte kritikuar vazhdimisht këtë formë të dhënies së tenderëve.

Fshehtësia

Ankesa për mostransparencë të tenderit në Organin Shqyrtues të Prokurimit (OSHP) ka bërë kompania “Cactus”.

Si bashkëpunëtore e kompanisë Softwer One, e cila gëzon të drejtën globale për furnizim me licenca të Microsoft, “Cactus” konsideron se i është bërë e padrejtë që nuk ka marrë ftesë nga Ministria për të negociuar për kontratë.

Këtë e ka hedhur poshtë OSHP, duke konsideruar se kompania “Cactus” nuk ka ofruar asnjë provë që është e autorizuar për shitjen e produkteve të Microsoft dhe si e tillë nuk mund të kualifikohet si palë e interesuar për aktivitetin e prokurimit.

Frontit, një kompani tjetër, i tha se posedonte – ngjashëm si “Infosoft” – të drejtat për shitjen e licencave, por nuk u ftua për bisedime rreth lidhjes së mundshme të kontratës.

Mediumi ka pyetur për këtë temë dikasterin, por kanë munguar përgjigjet gjatë së mërkurës.

Telefonin nuk e kanë hapur as nga Zyra e Prokurimit në MPB.

Rreth kompanisë fituese

Në anën tjetër, fituesja e tenderit – Infosoft Systems – figuron e regjistruar si kompani në Kosovë që prej 2014-s. Megjithatë, selia e saj kryesore ndodhet në Tiranë, sipas informatave në internet.

Si aktivitet primar, kompania e ka teknologjinë informative dhe aktivitetet shërbyese kompjuterike.

Kurse si sekondar, tregtinë me shumicë të makinerive dhe pajisjeve të tjera të zyrave.

Kontrata mes MPB dhe Infosoft parashihet të zgjasë për tri vjetët e ardhshme.