Ministri sllovak i Mbrojtjes ironizon: Me rastin e ditëlindjes së 70-të të Putinit, Ukrainës i dërguam dy topa Zuzana

Ministri sllovak i Mbrojtjes, Jaroslav Nad, “me rastin e 70-vjetorit” të ditëlindjes së agresorit Vladimir Putin, ka ironizuar duke njoftuar se i kanë dërguar Ukrainës dy topa të kalibrit të madh të quajtur Zuzana.

Në profilin e tij në Twitter publikoi fotografitë e topave Zuzana në Ukrainë, ku shihet kjo armë e kalibrit të rëndë, transmeton Telegrafi.

“Për ta festuar ditëlindjen e tij të 70-të, agresorit Putin i kemi dhënë edhe një dhuratë. Edhe dy topa Zuzana 2, që tashmë gjenden në Ukrainë (edhe shumë tjerë në të ardhmen)”, ka shkruar Nad.

Nuk është vetëm Sllovakia që po e ndihmon Ukrainën që t’i kundërpërgjigjet agresionit rus. Vende të shumta perëndimore i kanë dërguar sasi të mëdha armatimi.

Megjithatë, ato që ndryshuan më së shumti rrjedhën e luftës në Ukrainë, janë sistemet e avancuara raketore të Shteteve të Bashkuara, HIMARS që po i shkaktojnë humbje të mëdha rusëve si në njerëz ashtu dhe në makineri luftarake.

E së fundmi rusët janë në panik për shkak të shpërthimit të urës, që lidh Krimenë me Rusinë dhe pjesën tjetër të Ukrainës. Deri më tani askush nuk ka marrë përgjegjësinë për këtë sulm.