Ministri Shala ripërsërit, taksa nuk hiqet pa e ndërruar Serbia qasjen ndaj Kosovës

Ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Endrit Shala, e ka ripërsëritur se taksa ndaj produkteve serbe do të vazhdojë të mbetet në fuqi.

Ministri i Tregtisë dhe Industrisë së Kosovës, Endrit Shala, ka thënë se shteti ynë ka pasur përfitime të shumta nga vendosja e taksës ndaj produkteve serbe.

Këto komente Shala i ka bërë në një bashkëbisedim me studentë. Mirëpo sipas Shalës ky ka qenë vendim i detyruar për shkak të qasjes politike dhe ekonomike që Serbia e ka pasur ndaj Kosovës që nga çlirimi.

“Përfitimet janë të shumta me këtë taksë. E ka rritur prodhimin tonë vendor. Nuk kemi nevojë të jemi shumë ekspertë për ta vërejtur ndryshimin dhe efektin e saj. Ne si Ministri nuk kemi vërejtur rritje të çmimeve, sidomos të produkteve ushqimore. Qëndrimi ynë si qeveri është që kjo masë e ka ndihmuar dhe po e ndihmon rritjen e prodhimit vendor dhe ka ndikuar që tregu i këtyre vendeve të zëvendësohet me Shqipërinë e Maqedoninë dhe vende tjera. I vetmi problem i vogël ka qenë te prodhuesit tanë vendorë që është dashur ta ndërrojnë furnizimin me lëndë të parë”, ka deklaruar ai, transmeton rtk. Shala ka theksuar edhe njëherë se taksa nuk do të hiqet derisa ta ndërrojë qasjen Serbia.

“Kjo masë do të vazhdojë të mbetet në fuqi përderisa nuk eliminohen arsyet për të cilat ne jemi detyruar ta vendosim”, ka shtuar ai.

Kujtojmë se taksa prej 100 për qind ndaj produkteve serbe dhe boshnjake ishte vendosur nga Qeveria e Kosovës në nëntor të vitit 2018 si kundërpërgjigje ndaj Serbisë për qasjen e saj dhe propagandën kundër Kosovës.

Që nga vendosja e taksës, Serbia e ka bllokuar edhe dialogun me Kosovën, dialog ky që ndërmjetësohet nga Bashkimi Evropian.