Ministri serb: Pres që Kosova të përmbushë gjithçka që ka nënshkruar, duhet të formohet Asociacioni

Ministri i Ndërtimit, Transportit dhe Infrastrukturës Goran Vesiq thekson se pret që Kosova t’i përmbush obligimet e saj, duke shtuar se formimi i Asociacionit duhet të ndodhë.

Vesiq tha se pa formimin e Asociacionit nuk ka asgjë për të diskutuar.

“Atëherë pse të nënshkruani një marrëveshje nëse nuk ka. Presim që autoritetet në Kosovë të përmbushin atë që kanë nënshkruar. Pa këtë nuk kemi çfarë të flasim. OKB-ja është fort pas saj, BE dhe SHBA. Pas kësaj, ne mund të flasim më tej. SHBA nuk mund të përballojë të luhet siç po bën Kurti. Marrëveshja e Brukselit është nënshkruar nga të dyja palët”, thekson Vesiq dhe shton se Kurti po zbaton taktika për të krijuar jostabilitet, në mënyrë që të ketë gjithnjë e më pak serbë në Kosovë.

Vesiq shton se është e nevojshme të jemi unik në ruajtjen e interesave kombëtare.

“Shqiptarët e Kosovës kanë një interes, por edhe fuqitë e mëdha. Në politikë nuk ka miqësi dhe armiqësi të përjetshme, ka vetëm interes. Pikërisht për këtë është e nevojshme që ne të jemi të bashkuar, sepse përndryshe ata do të përdorin përçarjen tonë. Duhet të kujdesemi që interesat tona të realizohen pa hyrë në konflikt me të gjithë botën. Serbia nuk duhet të lejojë që kjo të ndodhë”, ka shpjeguar Vesiq në një paraqitje të ftuar në televizionin serb Blic.

Deklaratat e opozitës se nënshkrimi i propozimit evropian është tradhti Vesiq i komenton si “patriotizëm të rremë”.

“Nuk është patriotizëm i vërtetë nëse nuk ofroni asnjë zgjidhje. Ata vetëm debatojnë dhe nuk ofrojnë fare zgjidhje për problemin”, thotë Vesiq.

Duke folur për Lëvizjen e re Popullore, themelimin e së cilës e ka paralajmëruar presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, Vesiq thotë se nevojitet mobilizimi për të mbrojtur interesat legjitime kombëtare kur është fjala për Kosovën.

“Qëllimi i lëvizjes është të mbrojë Serbinë në momentin kur diskutohet e ardhmja e Kosovës. Kjo nuk do të thotë se të gjithë ata që janë anëtarë të lëvizjes bien dakord për çështjet politike. Qëllimi është edhe bashkimi i të gjithë atyre. të cilët Serbinë e shohin si një shtet të qëndrueshëm, të lirë, i cili duhet t’u bëjë ballë të gjitha sfidave, duke u kujdesur për interesat kombëtare”, shton Vesiq.