Ministri serb i Mbrojtjes, Millosh Vuçeviq tha sot se Kuvendi i Serbisë duhet të marrë vendimin  përfundimtar për rikthimin e shërbimit të detyrueshëm ushtarak për një kohëzgjatje prej katër muajsh, duke thënë se fakti që nisi kjo nismë nuk do të thotë se Serbia po përgatitet për çfarëdo lloj lufte.

“Asgjë nuk do të bëhet brenda natës dhe do të ketë një debat për këtë temë. E kemi nisur zyrtarisht nismën. Vendimi përfundimtar i takon Kuvendit të Serbisë. Shpresoj se do ta miratojmë”, tha Vuçeviq për TV Pink, transmeton Ballkani.info.

Vlerësimi i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura të Serbisë dhe Ministrisë së Mbrojtjes është se ky është momenti kur shoqëria dhe vendimmarrësit politikë duhet të shprehen për këtë dhe të japin verdiktin e tyre, theksoi ai.

Kanë kaluar 13 vite nga pezullimi i shërbimit të detyrueshëm ushtarak. Ajo nuk u shfuqizua, por u pezullua përkohësisht më 1 janar 2011, dhe që atëherë kemi pasur 13 breza njerëzish që nuk janë as në rezervë, tha Vuçeviq.

Sipas tij, ky numër nuk mund t’i afrohet as kompensimit të atyre që shërbejnë vullnetarisht në ushtri.

Vuçeviq vuri në dukje se Ministrisë së Mbrojtjes dhe Ushtrisë Serbe duhet t’i jepet kohë për të përgatitur infrastrukturën për pranimin e rekrutëve.

Për sa i përket kohëzgjatjes, ai tha se propozimi është që shërbimi të mos zgjasë më shumë se katër muaj dhe të arrihet marrëveshje për detajet tjera, përkatësisht sa herë do të shkojnë ushtarët në shtëpi.

Njerëzit në shumë pjesë të Serbisë, veçanërisht në zonat kufitare, dëshirojnë të ringjallin kazermat në pjesët e tyre, tha Vuçeviq.

Serbia po përgatitet të ruajë paqen dhe lirinë, dhe një ushtri e fortë serbe do të ishte një tjetër pengesë për të gjithë ata që janë keqdashës ndaj Serbisë, përfundoi ai. /Ballkani.info/

​