Branko Ruzic, të dielën e kaloi në Prishtinë. Ish drejtori i klubit futbollistik të Partizanit dhe tani ministër në Qeverinë e Serbisë, bëri homazhe te varri i legjendës kosovare, Fadil Vokrri.
Ai erdhi i vetëm nga Beogradi për ta nderuar mikun e tij në 1-vjetorin e vdekjes.
Ai ka thënë se asnjëherë nuk e kanë shikuar përkatësinë nacionale sa ishte Vokrri te Partizani, dhe ka kërkuar që “gjeneratat e reja duhet ta shikojnë Vokrrin si një figurë e madhe e jo përkatësinë e tij”.
“Fadil Vokrri ka qenë legjendë si person dhe asnjëherë nuk e kemi shikuar përkatësinë nacionale te Partizani. Kam ardhur këtë vit për të vendosur kurorë, sepse kemi respekt për të dhe familjen e tij. Vokrri ka qenë futbollist i shkëlqyer.
Për Partizanin ka shënuar shumë gola të rëndësishëm. Ka dhënë kontribut edhe për Jugosllavinë. Të gjithë e kujtojmë se ka qenë i vendosur dhe për një figurë kaq të madhe duhet të kemi respekt duke e nderuar familjen e tij. Gjeneratat e reja duhet ta shikojnë Vokrrin si një figurë e madhe e jo përkatësinë e tij”, tha ai.







