Ministri serb i Mbrojtjes, një nacionalist i përbetuar, Aleksandar Vulin, ka thënë sonte se “Prishtina nuk dëshiron ta zgjidh rastin e vrasjes së Oliver Ivanoviqit”.
Sipas tij, Prishtina zyrtare po e përdor vrasjen e Ivanoviqit si shkas për “sulme ndaj serbëve dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq”.
Ai ka folur edhe për deklaratën e ministrit kosovar të Drejtësisë, Abelard Tahiri i cili tha se gjithçka çon në drejtim se vrasja e Ivanoviqit është bërë me porosi të Vuçiqit, pasi që ai po e mbron të dyshuarin kryesor, Milan Radojiçiq, transmeton Ballkani.info.
“I ashtuquajturi ministër i Drejtësisë në Qeverinë e Prishtinës nuk e ka ndje nevojën që ta sqarojë se pse Kosova ka aq shumë të vrarë, të plaçkitur dhe serbë të përzënë, kurse ka aq pak të gjykuar për krime ndaj tyre”, ka thënë Vulin.
Vulin i është referuar shqiptarëve me emrin fyes ‘shiptari’.
“Ashtu siç shqiptarët (shiptari) nuk e kanë dert që të zbulojnë dhe t’i dënojnë vrasësit e bujqve në Grackë ose vrasjet e fëmijëve në Gorazhdec, ashtu nuk e kanë dert që t’i zbulojnë vrasësit e Ivanoviqit”, ka thënë Vulin.
“Kërkesat tona ndaj autoriteteve serbe për bashkëpunim juridik në rastin Ivanoviq kanë ngecur në atë çast kur të gjitha dyshimet e bazuara e nxorën Milan Radojçiqin si të dyshuarin kryesor për atentatin vdekjeprurës që shtetasit dhe politikanit të Republikës së Kosovës, Oliver Ivanoviq i kushtoi me jetë. Në vend të bashkëpunimit dhe vendosjes para drejtësisë së të dyshuarit kryesor, ai u mor në amnisti nga Presidenti Aleksandër Vuçiq. Nuk ka asnjë shpjegim racional përveç faktit se në mes Vuçiqit dhe Radojçiqit ekziston një marrëdhënie e tillë e urdhërdhënësit dhe ekzekutuesit”, ka thënë sot ministri kosovar i Drejtësisë, Abelard Tahiri. /Ballkani.info/







