Ministri serb i Mbrojtjes konfirmon gatishmërinë ushtarake, lëvizje urgjente drejt Kosovës

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, pak para orës 14 i ka lëshuar urdhër Ushtrisë për ngritjen e gatishmërisë luftarake në nivelin më të lartë dhe nga ai moment ushtria ka filluar aktivitetet e saj, tha ministri i Mbrojtjes Millosh Vuçeviq.

“Është urdhëruar një lëvizje urgjente drejt vijës administrative me Kosovën”, tha Vuçeviq drejtpërdrejt për Pink TV nga qendra e Beogradit.

Ai paralajmëroi se ngjarjet në veri të Kosovës, ku qeveria e Prishtinës po merr në dorë ndërtesat e vetëqeverisjes lokale, nuk janë lojë, por kërcënojnë sigurinë e të gjithëve në rajon.

Siç theksoi ai, ushtria do ta përmbushë absolutisht urdhrin e Vuçiqit dhe do ta mbrojë sovranitetin e Serbisë dhe të drejtën e jetës së të gjithë qytetarëve të saj.

“Është e qartë se po bëhet terror ndaj komunitetit serb në Kosovë”, ka përfunduar Vuçeviq.