Ministri serb i Mbrojtjes i reagon Mehajt për deklaratat për fuqizim të ushtrisë së Kosovës

Ministri i Mbrojtjes së Serbisë, Nebojsa Stefanoviq, i ka reaguar homologut kosovar Armend Mehaj në lidhje me deklaratat e tij të fundit mbi përgatitjet për fuqizimin e ushtrisë së Kosovës dhe gatishmërinë për ta mbrojtur çdo cep të Republikës së Kosovës.

Ministri Stefanoviq ka thënë se s’ka asnjë ligj ndërkombëtar që i lejon Prishtinës të formojë ushtri, raporton Express.

“Nuk ka asnjë ligj ndërkombëtar që i lejon Prishtinës të formojë ushtrinë në territorin e provincës sonë jugore, por kjo është arsyeja pse ekziston një marrëveshje e Brukselit me të cilën pala shqiptare u angazhua në Bashkimin Evropian për të formuar Unionin e Komunave Serbe. Armend Mehaj dhe Albin Kurti e dinë shumë mirë këtë, ndërsa qëllimisht mashtrojnë popullin e tyre, tentojnë të frikësojnë serbët në Kosovë dhe të shkaktojnë destabilizimin e rajonit tonë në të gjitha mënyrat e mundshme”, ka thënë Stafanoviq.

Tutje ai thotë se KFOR është e vetmja forcë e armatosur sipas rezolutës 1244 të OKB-së.

“Këtë e dinë fare mirë politikanët e Prishtinës, edhe pse kjo nuk i pengon që të ngulmojnë me njoftimet këmbëngulëse për krijimin dhe pajisjen e të ashtuquajturës ushtri të të ashtuquajturës Kosovë. Deri më tani vetëm në funksion të ngjalljes së frikës te serbët, por edhe të mbulimit të syve të popullatës shqiptare, e cila po zhytet në varfëri gjithnjë e më të madhe dhe jeton pa asnjë perspektivë”, ka thënë ai.