Millosh Vuçeviq

Ministri serb i Mbrojtjes: Çangazhim, jo tërheqje e ushtrisë

Ministri serb i Mbrojtjes Millosh Vuçeviq, ka thënë më 4 tetor se reduktimi i numrit të ushtarëve “përgjatë vijës administrative” me Kosovën, nga 8.350 në më pak se 4.500, do të thotë “çangazhim, jo tërheqje e një pjese të njësive”.

“Ata po kthehen në garnizonet e tyre, në kazermat e tyre, në aktivitetet e tyre të rregullta,” ka thënë Vuçeviq për Televizioni Prva.

Ai ka thënë se ushtria serbe dhe Ministria e Mbrojtjes, së bashku me inteligjencën ushtarake dhe Agjencinë e Sigurisë Ushtarake, janë duke monitoruar gjithçka që po ndodh në Kosovë.

Vuçeviq i ka mohuar akuzat se Serbia po përgatitej të bënte diçka duke “mbledhur njësi” dhe se po trajnonte grupin që ka marrë pjesë në konfliktin në Banjskë, në veri të Kosovës.

Shtetet e Bashkuara i kanë bërë thirrje Serbisë, më 29 shtator, që t’i tërheqë trupat nga kufiri me Kosovën.

Më 3 tetor, Shtëpia e Bardhë ka thënë se Serbia ka “filluar tërheqjen” e forcave të saj nga kufiri me Kosovën dhe se ky është “lajm i mirë”.

Zëdhënësi i Këshillit të Sigurisë Kombëtare John Kirby ka thënë se diçka e tillë “do të ndihmojë në uljen e tensioneve, por jo në eliminimin e tyre”.

Vendosja e ushtrisë serbe në kufirin me Kosovën ka nisur pas sulmit një grupi të armatosur ndaj Policisë së Kosovës në Banjskë, më 24 shtator.

Si pasojë e sulmeve është vrarë rreshteri i Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku, ndërsa në shkëmbim e sipër të zjarrit janë vrarë edhe tre sulmues serbë.

Më 29 shtator, Millan Radoiçiq e ka marrë përgjegjësinë për organizimin dhe sulmin në Banjskë.

Të njëjtën ditë, ai ka dhënë dorëheqje nga pozita e nënkryetarit të Listës Serbe – partisë më të madhe të serbëve në Kosovë, e cila e gëzon mbështetjen e Beogadit zyrtar.

Radoiçiq është marrë në paraburgim për 48 orë nga autoritetet në Serbi, më 3 tetor

Ai akuzohet për blerje të armëve, municioneve dhe mjeteve shpërthyese me fuqi të madhe shkatërruese nga Tuzlla në Bosnje dhe Hercegovinë, nga janari 2023 deri më 24 shtator.

Radoiçiq e ka mohuar kryerjen e këtyre krimeve./REL/