Ministri serb i Mbrojtjes “bie në tjetër hesapë” pasi që Ushtria e Kosovës po stërvitet në Kroaci

Ministri serb i Mbrojtjes, Aleksandar Vulin me vlerësimin se po ripërtërihet vëllazëria shqiptaro-kroate e armëve, ka komentuar stërvitjen ndërkombëtare të NATO-s që ka filluar këto ditë në Kroaci, ku përveç ushtrive të 16 vendeve të NATO-s po marrin pjesë, për herë të parë, edhe ushtarët kosovarë.

“Ftesa për paraushtrinë e papranuar nga Kosova në ushtrime që i organizon Kroacia, Sllovenia nën bashkëorganizimin e Komandës evropiane të forcave të armatosura të SHBA-ve tregon se po ripërtërihet vëllazëria kroato-shqiptare sipas armëve, si i quan shqiptarët presidentja kroate dhe se për këtë e kanë mbështetjen edhe të Sllovenisë”, ka thënë ministri serb, transmeton Ballkani.info.

Siç ka shtuar ai, “kjo nuk është hera e parë që në Kroacia shqiptarët (ai shqiptarëve iu referohet me emrin nënçmues shiptari) stërvitën, por është hera e parë që i thërrasin ushtri”.

“Për çfarë po stërvitën shiptari? Për t’u mbrojtur nga sulmet e Shqipërisë, Malit të Zi, Maqedonisë së Veriut apo për luftë me serbët? Duke i bartur me anijë kroate terroristët që e luajnë rolin e ushtrisë kundër së cilës kanë dalë edhe shumë vende të NATO-s, flet për qëllimin e keq ndaj Serbisë dhe mendimit të aleatëve të NATO”, ka thënë me plot mllef ministri serb i Mbrojtjes, i cili njihet si adhurues i Millosheviqit dhe politikës së tij gjenocidiale.

Ai ka shtuar se do të kërkojë nga organizatorët e këtij ushtrimi sqarim se pse “ushtria e papranuar ftohet në stërvitje ushtarake dhe kështu e shkelë të drejtën ndërkombëtare”.

Ushtria e Kosovës po merr pjesë në stërvitjen ushtarake ndërkombëtare “Immediate Response 19”, e cila mbahet në territorin e Kroacisë, në porton Gazhenica afër Zarës. /Ballkani.info/