Ministri Selimi për kthimin në punë të ‘babës së tenderëve’: Të korruptuarit s’kanë vend në institucione

Ministri në detyrë e Drejtësisë, Selim Selimi ka folur sot për skandalin e shkaktuar nga sekretari i Ministrisë së Infrastrukturës, Izedin Bytyqi, i cili ka marrë vendim për kthimin në punë të Nexhat Krasniqi, i njohur si “baba i tenderëve” dhe i dënuar për korrupsion.

I pyetur nga Ballkani.info se si është e mundur që një person me dënim të plotfuqishëm të kthehet në punë në institucione të Kosovës, Selimi ka thënë se ai qëndron pas asaj që ka thënë më herët se askush që është i dënuar për korrupsion nuk duhet të jetë në institucionet e Kosovës.

“N e mbajmë atë që e kemi thënë, ne mendojmë që çdo person që është i dënuar për korrupsion, nuk duhet të jetë në institucionet e Kosovës. Për më shumë kemi bërë ndryshimin e procedurës penale ku  kemi prezantuar edhe nenin që me ngritje të aktakuzës zyrtarët e lartë të suspendohen, domethënë kemi shkuar një hap përtej prezunimit të pafajësisë për të mbrojtur ndikimin e personave me aktakuzë potencialisht në procese”, ka thënë ai.

Sipas tij, me të marrë lajmin e Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës të Shërbimit civil, i cili ka marrë vendim të kthehet në punë Nexhat Krasniqi, Ministria e Drejtësisë menjëherë ka bërë padi dhe ka bërë kërkesë për masë të përkohshme përmes avokatit të shtetit në Gjykatën Themelore.

“Do të thotë me padinë dhe masën e parakohshme ne kemi bërë veprimet që na takojnë me ligj si avokaturë shtetërore dhe si Ministri i Drejtësisë. Në ndërkohë jam i informuar se Gjykata Themelore ka refuzuar masën e përkohshme, do të thotë se nuk e ka marrë masën e përkohshme për shkaqet që ata i dinë, por padia që ne e kemi bërë vazhdon. Ajo padi është e bazuar mbi faktet e vendimeve që janë marrë në disa shkallë për këtë çështje”, ka thënë Selimi.

Tutje ai ka thënë se çështja e KPMSHCK-së është çështje e shërbimit civil, e cila e ka relacionin mes këshillit civilë dhe Ministrisë së Drejtësisë.

“Sa i përket ndjekjes procedurale ne i kemi bërë hapat si Ministri e Drejtësisë, kemi bërë padi kemi kërkuar masën e përkohshme”, ka thënë ministri Selimi.

I pyetur se rikthimi në punë i Krasniqi me vendim të sekretarit Bytyqi është bërë gjatë kohës sa drejtoresha e Prokurimit në MI ka qenë në pushim të lindjes, Selimi tha se kjo e shqetëson shumë.

“Çështja e drejtoreshës mua më shqetëson, unë mendoj se ne duhet të bëjmë më shumë për respektimin e të drejtave të grave, veçanërisht gjatë kohës së lehonisë, gjatë kohës së lindjes, më shqetëson kjo, por është çështje e Ministrisë së Infrastrukturës dhe relacioni i kthimit është relacion mes KPMSHCK-s dhe ministrisë së Infrastrukturës. Ministria e Drejtësisë është kyçur në momentin kur kemi marrë informatën nga Ministria e Infrastrukturës dhe kemi marrë të gjitha hapat për ta ndjekur vendimin e gjykatës, por ne nuk kemi autoritet mbi KPMSHCK-në, sepse është relacion midis tyre, sepse ne kur i kemi ndërmarrë të gjitha hapat për ta ndjekur vendimin e Gjykatës, ne nuk kemi autoritet mbi KPMSHCK, do të thotë ne i kemi marrë këto hapa”, ka thënë ai.

Të kujtomë se Nexhat Krasniqi e kishte humbur betejën në Gjykatën Supreme të Kosovës, me sekretarin e përgjithshëm që ishte ushtrues detyre në Ministrinë e Infrastrukturës dhe Transportit.

Me vendimin e Gjykatës Supreme në fund të muajit nëntor të vitit 2019, Nexhat Krasniqi ishte larguar përfundimisht nga pozita e tij të udhëheqësit të Divizionit të Prokurimit në Ministrinë e Infrastrukturës.

Kjo është konfirmuar edhe një herë nga Supremja në përgjigjet dërguar Ballkani.info në dhjetorit të vitit të kaluar.

Ballkani.info ka kërkuar sqarime nga Gjykata Supreme pas vendimit të KPMSHCK-së për kthimin në punë të Krasniqit.

Në përgjigjet dërguar në adresë të portalit tona, Gjykata Supreme bën të ditur se kjo Gjykatë nuk është në dijeni të Vendimit të KPMSHC për kthimin në punë të N.K., pasi që kjo Gjykatë me Aktvendimin CML.nr.12/2019 datë 18.11.2019 duke vendosur lidhur me Kërkesën e Prokurorit të Shtetit për Mbrojtje të Ligjshmërisë KMLC.nr.138/2019 datë 22.8.2019 ka lënë jashtë fuqie aktvendimin e KPMSHC në Kosovë nr.6897 datë 16.11.2018 mbi pezullimin e zbatimit të vendimit të Sekretarit të Përgjithshëm të Ministrisë së Infrastrukturës nr. protokollit 10641 datë 12.11.2018 për ndërprerjen e marrëdhënies së punës N.K.

“Kjo, pasi që njëzet e pesë ditë pas nxjerrjes së këtij vendimi/aktvendimi të KPMSHCK,  nr.6897 datë 16.11.2018, KPMSHC kishte nxjerrë aktvendimin përfundimtar lidhur me ankesën e N.K., me të cilin vendim hedhet poshtë si e pa lejuar ankesa e parashtruesit N.K., me arsyetim se i njëjti fillimisht nuk i ka shterrur burimet e brendshme të ankimimit duke paraqitur ankesë në Komisionin për zgjidhjen e kontesteve dhe ankesave në Ministrinë e lartëpërmendur. Pas nxjerrjes së këtij vendimi të dytë të KPMSHC në Kosovë, N.K., kundër vendimit të lartëpërmendur për ndërprerjen e marrëdhënies së punës  nr. protokollit 10641 datë 12.11.2018 ka paraqitur ankesë në Komisionin e lartëpërmendur për zgjidhjen e kontesteve dhe ankesave në Ministrinë e Infrastruktures, i cili Komision me vendimin nr.01-888 datë 29.01.20219 refuzon si të pabazuar një ankesë të tillë të N.K., dhe lë në fuqi vendimin për ndërprerje të marrëdhënies së punës.  Më tutje, me ecurinë e procedurës në këtë çështje juridike, Gjykata Supreme nuk ka njohuri”, thuhet në përgjigjen e Gjykatës Supreme. /Ballkani.info/

Lexoni edhe: