A e ‘fshehi’ KPMSHCK vendimin e Supremes ku Nexhat Krasniqit i vërtetohet largimi nga Ministria e Infrastrukturës?

E quajtën “Baba të tenderëve”, si i akuzuar për keqpërdorime në këtë fushë, por Nexhat Krasniqi ishte kthyer në vendin e tij të punës si shef i Prokurimit në Ministri të Infrastrukturës në vitin 2018.

Ai ishte larguar nga kjo pozitë vite më parë për shkak të dyshimeve dhe aktakuzës se kishte përfituar para nga shumica e tenderëve të dhënë nga kjo ministri.

Madje, largimi i tij ishte bërë me një urdhër ndalimi për hyrje në objektin e MI-së, pasi kishte vazhduar funksionin edhe pas shumë muajsh suspendimi.

Megjithëse u lirua nga kjo akuzë, mbi Krasniqin rëndon dënimi prej 1.8 muajsh burgim, i vërtetuar në të gjitha shkallët e gjykatave, duke përfshirë edhe Kushtetuesen, sa ai ishte shef i prokurimit në Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë.

E së fundi, Këshilli i Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës ka marrë vendim ta kthejë në punë Krasniqin, i njohur ndryshe edhe si “baba i tenderëve”.

Ballkani.info e ka siguruar vendimin e Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të datës 4 dhjetor të këtij përmes së cilit aprovohet si e bazuar ankesa A.nr.77/2019. E datës 7 shkurt të vitit 2019 e parashtruar nga Nexhat Krasniqi.

Me këtë vendim është anuluar vendimi 888 I datës 29 janar të vitit 2019 i Komisionit për Zgjidhjen e Kontesteve dhe të ankesave i Ministrisë së Infrastrukturës, si dhe vendimi i U.D. Sekretarit të Përgjitshëm të Ministrisë së Infrastrukturës, dhe mbetet në fuqi vendimi i datës 2 mars 2018 numër 1925.

Sipas këtij vendimi obligohet Sekretari i Përgjithshëm i Ministrisë së Infrastrukturës që ankuesin ta kthejë në pozitën e Udhëheqësit të Divizionit të Prokurorimit në MI, me të gjitha të drejtat dhe obligimet nga marrëdhënia e punnës, duke i kompensuar pagat nga dita e ndërprerjes së marrëdhënies së punës.

Në arsyetimin e vendimit, KPMSHCK-ja thekson se më datën 15.05.2016 me vendim të formës së prerë Gjykata e Apelit, ankuesin Nexhat Krasniqi e dënon me dënim me kusht. Ministria e Infrastrukturës, gjegjësisht Komisioni Disiplinor me datën 02.02.2017 sipas kërkesës së Sekretarit të Përgjithshëm merr në shqyrtim lëndën ndaj ankuesit Nexhat Krasniqi.

Tutje në arsyetim thuhet se Komisioni Disiplonot duke u bazuar në nenin 63 paragrafi 4 të Ligjit nr 03/L-149 për Shërbimin Civil e ka trajtuar lëndën dhe ka marrë vendim që ankuesit ia kanë ndërprerë marrëdhënien e punës në shërbimin civil në kuadër të MI-së.

Me poshtë në vendim KPSHMCK-ja përmend edhe disa nga provat që ia ka paraqitur Krasniqi.

Mirëpo, ajo që është e çuditshme në vendimin e KPSHMCK-së ka të bëjë me faktin se në këtë vendim nuk përmend fare beteja e humbur e Krasniqit me Gjykatën Supreme.

Nexhat Krasniqi e kishte humbur betejën në Gjykatën Supreme të Kosovës, me sekretarin e përgjithshëm që ishte ushtrues detyre në Ministrinë e Infrastrukturës dhe Transportit.

Me vendimin e Gjykatës Supreme në fund të muajit nëntor të vitit 2019, Nexhat Krasniqi ishte larguar përfundimisht nga pozita e tij të udhëheqësit të Divizionit të Prokurimit në Ministrinë e Infrastrukturës.

Dhe nisur nga ky vendim shtrohet pyetja se cili është organ më i lartë në Kosovë, Gjykata Supreme apo KPMSHCK-ja?! Pse KPMSHCK-ja nuk e përmendi fare në vendim aktvendimin e Gjykatës Supreme?

Si erdhi në këtë pozitë Nexhat Krasniqi?

Sipas një raportimi të KohaVisionit në vitin 2018, nuk dihet se si ka kaluar Krasniqi nga pozita e drejtorit të Departamentit Koordinues të Këshillit për Komunikacion Rrugor, ku ishte emëruar nga ish sekretari Nebih Shatri në tetorin e vitit 2017, në atë të shefit të prokurimit.

Bazuar në proceset e tenderimit që kishte hapur Ministria e Infrastrukturës gjatë marst të vitit 2018, Krasniqi doli të ishte shef i prokurimit të saj.

Madje për këtë i ishte nënshtruar testit të ricertifikimit për procese të prokurimit më 13 shkurt të atij viti.

Komisioni Rregullativ i Prokurimit Publik e kishte pranuar se Krasniqi së shpejti do të pajiset me certifikatën profesionale për prokurim, por thoshte se nuk është detyrë e tyre konfirmimi i të dhënave nëse ai kishte abuzuar me pozitën zyrtare në të kaluarën.

Sipas KRPP-së, aplikacioni i Krasniqit kishte ardhur i kompletuar nga Zyra e Autoritetit Kontraktues të Ministrisë së Infrastrukturës.

Për shoqërinë civile, ky fakt tregon ndikimin e grupeve politike të interesit që të vënë njerëz të tyre në prokurim të ministrisë.

Sipas Ligjit për Shërbyesit Civilë, çdo zyrtar në pozitë të lartë drejtuese iu nënshtrohet masave disiplinore nëse është i dënuar për vepër penale me gjashtë ose më shumë muaj burgim.