Ministri Selim premton sekuestrim dhe konfiskim të çdo pasurie të paligjshme

Ministri i Drejtësisë, Selim Selimi ka vizituar sot depon e Agjencisë për Administrimin e Pasurisë së Konfiskuar dhe Sekuestruar.

Pas vizitës, Selimi ka premtuar se shteti nuk do të ndalet së sekuestruari dhe konfiskuari çdo pasuri që fitohet në mënyrë të paligjshme.

“Bashkë me Drejtorin e Përgjithshëm, Kushtrim Cukaj, vizituam sot depon e Agjencisë për Administrimin e Pasurisë së Konfiskuar dhe Sekuestruar, për të parë nga afër gjendjen aktuale dhe kapacitetet e saj. Vetëm në vitin 2020 vlera e aseteve të sekuestruara dhe të konfiskuara ka arritur rreth një milion e gjashtëqind mijë euro. Konfiskimi i pasurisë së paligjshme mbetet prioritet dhe mekanizëm kryesor për luftim të suksesshëm kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.

Çdokush që tenton të përfitojë jashtëligjshëm do të jetë cak i hetimit dhe askush nuk do të jetë mbi ligjin. Shteti nuk do të ndalet së sekuestruari dhe konfiskuari çdo pasuri që fitohet në mënyrë të paligjshme” shkruan Selimi në njoftim.