Spahn

Ministri që kërkonte infermierë në Kosovë, kandidat për të zëvendësuar Merkelin

Ministri federal i Shëndetësisë në Gjermani, Jens Spahn nga CDU-ja, është një nga tre emrat më të përfolur si zëvendësues i Angela Merkelit në krye të partisë.

Merkel sot gjatë ditë deklaroi se nuk do të kandidojë as për mandatin e pestë si kancelare.

Si ministër, Spahn në korrik të këtij viti kishte bërë të ditur se Gjermania dëshiron të rekrutojë specialistë specifikisht nga Evropa Juglindore për të luftuar mungesën e burimeve njerëzore në infermieri.

Për “Bild am Sonntag” ai kishte thënë se potenciali më i madh i profesionistëve të rinj në këtë fushë është në Kosovë dhe Shqipëri.

Vetëm për tre muaj, Kosovës i ikën mbi 90 mjekë

“Atje, edukimi për infermieri është shpesh më i mirë se që e mendojmë”, kishte thënë ai. Megjithatë, sipas tij, ekziston problemi i vizave, transmeton Koha.net. “Kjo më shqetëson. Këta profesionistë të trajnuar shpesh duhet të presin deri në 10 muaj për një vizë për në Gjermani. Na duhet ta përshpejtojmë këtë proces”.

Spahn njihet edhe si ndër kritikët më të ashpër të Merkelit brenda CDU-së.