Hekuran Murati

Ministri Murati kritikohet për vonesat në reformën në skemat pensionale dhe sociale

Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati është kritikuar nga deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Bekim Haxhiu, për vonesat në reformën pensionale dhe sociale.

Deputeti Haxhiu, në fjalën e tij tha se në programin qeverisës është premtuar ristruktimi i skemave sociale dhe pensionale, me qëllim të uljes së varfërisë, por Projektligji për këto çështje që nga viti 2021 vazhdon të bartet në secilin program legjislativ.

“Keni premtu ridizajnim për punësimin e familjarëve me asistencë sociale, asnjë nuk është bërë, më shumë ka përfitim për bankat sesa për të varfërit, të varfërve vazhdon t’iu rritet varëfëria, keni premtuar ndryshimin e pushimit të lehonisë dhe prindëror, por ende ligj nuk ka”, tha ai.

Haxhiu tha se është premtuar skema pensionale dhe kjo nuk po shihet që është në agjendën legjislative.

“Po dëgjojmë se keni me bë këtë vit, por ende nuk po shihet”, shtoi Haxhiu.

Deputeti Haxhiu, përmendi diskriminimin që Qeveria ua ka bërë veteranëve, paraplegjikëve dhe grupeve të tjera të cenuara me ligjin për pagën minimale.

Ai tha se invalidëve të UÇK-së dhe invalidëve civilë të luftës, ende u është siguruar riparimi i protezave.

Kurse, deputeti i Vetëvendosjes, Burim Meta përmendi angazhimin e Komisionit për reformën në skemat pensionale dhe sociale.

“Kemi bërë kërkesë që për skemat pensionale dhe sociale të merremi edhe më herët. Por, nuk është bërë deri më tani”, tha ai.

Sipas tij, ministri Murati është njëri ndër ministrat më punëtorë, por ka munguar mbështetja nga aspekti social dhe human nga ai si ministër.

Meta tha se ka parashtruar shumë pyetje parlamentare në seancë ndaj ministrit, por nuk ka marrë përgjigje deri më tani.

Sipas tij, në Kosovë janë tetë familje strehimore, aktualisht është një kërkesë që në secilën komunë të jenë së paku pesë familje strehimore që do të kujdesen për fëmijët.

Tutje, ai përmendi edhe çështjen e personelit shëndetësor që të përkrahen me 30% të pagës bazë në mënyrë që ata të mos e lëshojnë Kosovën.