Ministri Mehaj shkruan për vdekjen e ish-ushtarit të UÇK-së: Shembull i ushtarakut me dinjitet e integritet të lartë

Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj, ka shprehur ngushëllime për vdekjen e majorit dhe ish-ushtarit të UÇK-së, Agron Spahiu.

Mehaj në një postim në profilin e tij në Facebook, ka shprehur dhimbje me rastin e vdekjes së Spahiut duke thënë se i ndjeri reflektoi “edhe me karakterin dhe personalitetin e tij moral dhe profesional si shembull i ushtarakut me dinjitet e integritet të lartë”.

Postimi i plotë i tij:

E dashura familje Spahiu,

Të nderuar bashkëluftëtarë e bashkëpunëtorë të major Agron Spahiut,

Me dhembje të thellë morëm lajmin me rastin e ndarjes nga jeta të Major Spahiut. Andaj, ju shprehë ngushëllimet për humbjen e madhe jo vetëm për familjen, por edhe për ne si institucion e shoqërinë tonë në përgjithësi.

Major Spahiu,si patriot e luftëtar i UÇK-së dhe si ushtarak profesionist i TMK-së e FSK-së, dha shumë për të gjitha të arriturat e deritashme të FSK-së dhe vendit në përgjithësi.

Ai, si lider, reflektoi edhe me karakterin dhe personalitetin e tij moral dhe profesional si shembull i ushtarakut me dinjitet e integritet të lartë. Në këto momente të vështira për familjen dhe kolegët, jemi pranë tyre dhe bashkëndjejmë në dhembjen e madhe për të.

Qoftë i përhershëm kujtimi për jetën dhe veprat e major Agron Spahiut!