Ministri Ismaili viziton Kurtin, Arben Vitia thotë se liderit të VV-së i është paraqitur një infeksion

Gjatë ditës së sotme lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti është shtruar në QKUK pas përkeqësimit të gjendjes shëndetësore.

Në një prononcim për Ballkani.info, kryetari i degës së LVV-së në Prishtinë, Arben Vitia tha se gjendja e Kurtit është përmirësuar dhe se nuk ka diçka serioze.

“Pas analizave kemi kuptuar se gjendja e tij shëndetësore është stabile dhe se nuk ka diçka për t’u shqetësuar. Kurtit i është paraqitur një lloj infeksioni, por nuk është ndonjë gjë serioze siç është dyshuar në fillim, andaj edhe sonte do të qëndrojë në QKUK e pastaj të shohim”, ka thënë Vitia.

Tutje, Vitia ka thënë se për gjendjen e Kurtit janë interesuar edhe figura nga skena politike, duke përmendur këtu kryeministrin Haradinaj dhe Ministrin e Shëndetësisë, Uran Ismailin.

“I falenderojmë të gjithë personat që janë interesuar për gjendjen e Kurtit. Çfarë mund të konfirmoj unë është vizita e Ministrit të Shëndetësisë, Uran Ismailit dhe me sa kam kuptuar Kurtin e ka telefonuar edhe kryeministri Haradinaj”, ka thënë Vitia për Ballkani.info.

Vitia nuk ka dashur të tregojë nëse Kurti është vizituar ose është telefonuar nga ish kolegët e partisë, tash deputetë të PSD-së. Sipas tij, nuk është moment tash të flitet për këto gjëra.

Kujtojmë se në konferencën për media pas mbledhjes së qeverisë ditën e sotme, kryeministri Haradinaj ka thënë se është interesuar për gjendjen shëndetësore të Kurtit dhe se shpreson që të mos jetë diçka serioze. /Ballkani.info/