Ministri i shëndetësisë Uran Ismaili, përmes një postimi në faqen e tij zyrtare në Facebook ka shkruar se është gati drafti final I udhëzimit administrativ për rregullimin dhe unifikimin e çmimit të barnave në të gjitha barnatoret.
“Shumë afër një prej reformave më të mëdha në shëndetësinë tonë. Tashmë e kemi draftin final të udhëzimit administrativ për rregullimin dhe unifikimin e çmimit të barnave në të gjitha barnatoret tona. Shteti nuk do të blejë më barna më shtrenjtë se vendet e rajonit, kurse qytetarët do të blejnë barnat e njëjta me çmime të njëjta në të gjitha barnatoret e Kosovës. Ky dokument do të hapë një faqe të re për shëndetësinë kosovare dhe do t’i mbrojë shtetin dhe qytetarët nga shpenzimet e larta financiare. Për këtë, sot pata edhe një takim me drejtues të Autoritetit të Konkurrencës dhe Odën e Farmacistëve të Kosovës. Kemi punuar shumë gjatë dhe me kujdes duke analizuar të gjitha faktet e mundshme, që mund të kenë ndikim në jetën e qytetarëve për atë se çka sjell zbatimi i tij. Falënderoj përgjegjësit e Autoritetit të Konkurrencës për angazhimin e tyre dhe përfshirjen në këtë proces kaq të rëndësishëm për vendin”







