Ministri i Punëve të Brendshme viziton Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë

Sot, me datën 5 nëntor 2018, në ambientet e Drejtorisë së Përgjithshme të PK-së, për një vizitë zyrtare qëndroi ministri i Punëve të Brendshme z. Ekrem Mustafa, i cili u mirëprit nga Policia e Kosovës.

Në takimin e udhëhequr nga drejtori i Përgjithshëm i PK-së z. Rashit Qalaj, të pranishëm përveç ministrit z. Mustafa ishin edhe stafi menaxherial i PK-së, me të cilët u diskutuan tema mjaft të rëndësishme të cilat kanë të bëjnë me realizimin e objektivave strategjike që ndërlidhen me sigurinë e përgjithshme, ruajtjen e rendit dhe sigurisë publike, si dhe luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit.

Gjatë këtij takimi u diskutuan edhe çështje tjera me prioritet, si: Ligji për pensionimin e parakohshëm të zyrtarëve të PK-së, Ligji për pagat, mungesa e sigurimeve shëndetësore për PK-në, si dhe çështje tjera me interes të përbashkët ndërinstitucional.

Ministri i MPB-së nga për së afërmi u informua nga drejtorët e departamenteve policore mbi angazhimet, punën dhe aktivitetet policore që janë duke kryer këto departamente.

Takimi rezultoi me zotimin e përbashkët për bashkëpunim dhe përkrahje të ndërsjellë, si dhe për angazhime shtesë nga të gjithë të pranishmit, me qëllim të përmbushjes së detyrave dhe obligimeve policore, të cilat janë në interes të qytetarëve dhe vendit./Ballkan