Mevlüt Çavuşoğlu

Ministri i Jashtëm turk: Gylenistët janë të rrezikshëm për Kosovën

Ministri i Jashtëm i Turqisë, Mevlüt Çavuşoğlu deklaroi se bashkëpunimi mes Turqisë dhe Kosovës rreth luftës kundër organizatës terroriste FETO duhet të vazhdojë, raporton Anadolu Agency (AA).

Çavuşoğlu në lidhje me praninë e FETO-s në Kosovë tha se “Ka pasur disa hapa që Kosova ka ndërmarrë në të kaluarën, ne gjithashtu kemi bashkëpunuar. Prandaj e shohim se sa e sulmojnë Kosovën për këtë. Por, ky bashkëpunim duhet të vazhdojë”.

Turqia, sipas tij, praninë e një organizate terroriste që ka kryer tentativë për grusht shteti në vend, nuk dëshiron ta shohë në një vend vëllazëror.

“FETO me praninë e saj në Kosovë ndoshta nuk mund të dëmtojë shumë Turqinë por është një kërcënim dhe rrezik shumë serioz për Kosovën. Duhet të nxirret ky strukturim nga Kosova. Ne gjithashtu e dimë se nuk është aq e lehtë kjo. Sepse, ashtu si në Turqi, ne po shohim se kanë infiltruar në të gjitha institucionet nëpërmjet arsimit, ashtu si në Turqi. Nga ana tjetër, ne e dimë disa shtete janë duke e mbështetur këtë rrjet, këtë organizatë terroriste, kjo nuk është sekrete”, tha Çavuşoğlu duke shtuar se:

“Por, kjo është shumë e rëndësishme për të ardhmen e Kosovës. Ne sot, jemi duke mbështetur Kosovën me sfidat tjera të cilat po përballet. Në lidhje me tjerët mund të gjendet zgjidhje sot, nesër por nëse sot nuk merren masa ndaj kësaj organizate terroriste, kam frikë se nesër do të jetë shumë vonë. Ato që kanë ndodhur në Turqi, sot edhe një herë ia shpreha zonjës ministre. Gjithashtu u shpreha edhe në lidhje me pritjet tona”.

Duke theksuar se ndihma humanitare dhe zhvillimore e Turqisë do të vazhdojnë në Kosovë, Çavuşoğlu tha se vlera totale e projekteve të TIKA-s në vend deri më tani ka shkuar në mbi 100 milionë dollarë.

“Turqia gjatë periudhës së pandemisë së COVID-19 i ka siguruar dy herë ndihma mjekësore Kosovës vëllazërore”, tha Çavuşoğlu duke potencuar se me homologen e tij kanë diskutuar se si mund të bashkëpunojnë në lidhje me vaksinën.