Ministri i Jashtëm italian kritik me BE-në: Të përshpejtohet integrimi i Ballkanit Perëndimor, jemi vonuar shumë

Rinisni rolin e Italisë në Ballkan, duke filluar nga Trieste, një “urë” natyrore drejt Lindjes. Kështu është shprehur ministri i Jashtëm i Italisë, Antonio Tajani në një intervistë lidhur me integrimin e Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian.

Tajani ka thënë se procesi i integrimit të rajonit është vonuar shumë ndaj duhet të bëhet çmos për të mos e shtyrë më, por për ta përshpejtuar atë. Sipas tij një nga rrugët kryesore është Samiti i Triestes që do të mbahet më 24 janar në Itali.

“Konferenca e Triestes është pika fillestare për rinisjen e aksionit të Italisë në Ballkanin Perëndimor. Qeveria e konsideron këtë objektiv një prioritet absolut dhe synon ta ndjekë me një qasje të strukturuar, duke përfshirë të gjithë përbërësit e sistemit italian. Le të fillojmë nga Trieste sepse ky territor ka qenë gjithmonë ura që bashkon Italinë me rajonin e Ballkanit”, tha Tajani.

I pyetur se si e imagjinon rolin e Italisë në Ballkan për vitet e ardhshme, ministri i Jashtëm Italian u shpreh se Italai duhet të luajë një rol udhëheqës që do t’i shërbejë Ballkanit në bashkëpunim dhe dialog.

“Italia duhet të luajë një rol udhëheqës, duke synuar të vendoset si një platformë për dialog dhe bashkëpunim me Ballkanin, një lehtësuese e pajtimit rajonal dhe integrimit të tij në BE. Angazhimi i qeverisë është që të punojë konkretisht në këtë drejtim duke promovuar projekte konkrete të bashkëpunimit mes realiteteve tona, mbi të gjitha atyre produktive, dhe botës ballkanike”, u shpreh ministri i Jashtëm.