"Ushtria e BE-së"

Ministri i Jashtëm italian bën thirrje për formimin e ushtrisë së BE-së

Bashkimi Evropian duhet të formojë ushtrinë e vet që mund të luajë një rol në ruajtjen e paqes dhe parandalimin e konfliktit.

Kështu deklaroi ministri i jashtëm italian, Antonio Tajani.

Në një intervistë për gazetën italiane “La Stampa”, Tajani tha se bashkëpunimi më i ngushtë evropian për mbrojtjen ishte prioritet për partinë “Forza Italia” që ai drejton.

“Nëse duam të jemi paqeruajtës në botë, na duhet një ushtri evropiane. Dhe ky është një parakusht themelor për të qenë në gjendje të kemi një politikë të jashtme evropiane efektive”, tha ai në një intervistë të botuar të dielën.

Sipas tij, në një botë me lojtarë të fuqishëm si Shtetet e Bashkuara, Kina, India, Rusia – me kriza nga Lindja e Mesme deri në Indo-Paqësorin – qytetarët italianë, gjermanë, francezë apo sllovenë mund të mbrohen vetëm nga diçka që ekziston, përkatësisht Bashkimi Evropian.

Bashkëpunimi evropian i mbrojtjes është ngritur në agjendën politike që nga pushtimi i plotë i Ukrainës nga Rusia pothuajse dy vjet më parë.

Megjithatë, përpjekjet kanë qenë më të përqendruara në zgjerimin e NATO-s, me vendin e BE-së, Finlandën që iu bashkua aleancës vitin e kaluar dhe Suedia gjithashtu në rrugën e duhur për t’u bërë anëtare.

Tajani tha gjithashtu se BE-ja 27-vendesh duhet të përmirësojë udhëheqjen e saj dhe të ketë një presidencë të vetme, në vend të strukturës aktuale të një presidenti të Këshillit Evropian dhe një presidenti të Komisionit Evropian.

Ministri i Jashtëm u bë udhëheqës i Forza Italia pas vdekjes së Silvio Berlusconit vitin e kaluar.

VIDEO BONUS: Serbia vazhdon me veprim të njëanshme duke kërcënuar paqen në rajon