Hungaria

Ministri i Jashtëm hungarez në Tiranë: Jemi kundër sanksioneve për Serbinë

Ministri i Jashtëm hungarez ka deklaruar se vendi i tij është kundër vendosjes së sanksioneve ndaj Serbisë. Në një prononcim për RTSH-në, Peter Szijjarto u shpreh se Hungaria nuk mbështet sanksionet ndaj askujt, duke mos e konsideruar si mjet për zgjidhjen e krizave.

“Ne zakonisht i kundërshtojmë sanksionet sepse nëse e ktheni kokën pas nuk do të gjeni asnjë regjim sanksionesh që të ketë pasur sukses. Vendosja e sanksioneve nuk dëmton vetëm ata kundër të cilëve vendosin sanksionet, por edhe të tjerët që i vendosin ato. Është e njëjta gjë me sanksionet ndaj Rusisë. Ato janë më të dëmshme për ne, se sa për rusët ndaj pse do të duhej të vendosnim sanksione ndaj një vendi që luan një rol kyç në të gjithë rajonin”, deklaroi ai, transmeton RTSH.

Ministri hungarez thotë se pa një Serbi të stabilizuar, nuk do të ketë as Ballkan Perëndimor të stabilizuar, prandaj në vend të sanksioneve, Szijjarto kërkon që të rinisë dialogu.

Hungaria është e qëndrimit se dialogu, sipas tij, duhet të ndodhë me liderët e Ballkanit Perëndimor.

“Mendoj se progresi i arritur nga kryeministri Rama dhe presidenti Vuçiq nëpërmjet marrëdhënieve të tyre, mes kontakteve që kanë, ishin mbresëlënëse dhe shpresoj që të dy liderët dhe të dy vendet të ndërtojnë edhe më tej një miqësi të fortë mes Serbisë dhe Shqipërisë. Kjo miqësi e fortë mund të shërbente si një bazë e mirë që Ballkani Perëndimor të zhvillohej më tej”, u shpreh ministri hungarez për rtsh.

Szijjarto ndodhet në Tiranë i pranishëm në Ministerialin që do të zhvillohet në kuadër të Procesit të Berlinit.

Pas ngjarjes së regjistruar më 24 shtator në veri të Kosovës, ku një grup i armatosur serb sulmoi Policinë e Kosovës duke i marrë jetën efektivit Afrim Bunjaku, Kosova, Shqipëria dhe Kroacia kanë kërkuar nga BE vendosjen e sanksioneve ndaj Serbisë.

Deri më tani nuk ka një vendim të prerë nga BE, ndërsa është deklaruar se kërkesa do të merret parasysh.