Ministri i Erdoganit i bën presion Kosovës: Presim hapa konkretë për gylenistët

Ministri i Mbrojtjes së Turqisë, Hulusi Akar, gjatë një konference për media në Prishtinë tha se pret nga institucionet kosovare që të ndërmerren hapa konkretë sa i përket gylenistëve.

Ministri i Erdoganit, Hulusi Akar para gazetarëve së bashku me homologun kosovar, Armend Mehaj tha se kanë pasur takime sa i përket çështjes së FETO-s dhe sipas tij organizata e Fetullah Gylenit është kërcënuese edhe për Kosovën.

“Poashtu kemi takime edhe në kuadër të çështjes së FETO-s në mënyrë që të ndërmerren hapa konkretë në këtë aspekt. Kjo çështje nuk është kërcënuese vetëm për Turqinë por mund të jetë kërcënuese edhe për shtetin e Kosovës. Në këtë aspekt nga miqt tanë kosovarë dhe nga institucionet kosovare po presim që të ndërmerren hapa konkretë”, tha ai.

Në mars të vitit 2018, Kosova arrestoi dhe dëboi gjashtë shtetas turq, që kishin punuar në shkollën private “Mehmet Akif” në Prishtinë.

Dëbimi i tyre është thënë se është bërë përmes një aksioni të koordinuar ndërmjet shërbimeve të inteligjencës nga Turqia dhe Kosova.

Arrestimit dhe dëbimit i ka paraprirë revokimi i lejeve të tyre të qëndrimit në Kosovë.

Të gjithë të arrestuarit, ndërkohë, janë përballur me procese gjyqësore në Turqi dhe në fund janë dënuar gjithsej me 56 vjet dhe 7 muaj e gjysmë burgim.

Arrestimi dhe dëbimi i tyre janë lëndë e hetimeve edhe në Prokurorinë Speciale të Kosovës, pasi dyshohet se procesi është përcjellë me dhjetëra shkelje.

Ankaraja e ka shpallur terroriste lëvizjen “Hizmet” në maj të vitit 2016, duke i akuzuar mbështetësit e saj për përpjekje për të rrëzuar Qeverinë turke.