Ministri i Arsimit në Qeverinë e Kosovës, Shyqiri Bytyqi, ka thënë se kushdo që pengon zbatimin e vendimit të Gjykatës bën vepër penale. Ai e ka thënë këtë në kontekst të debatit me SBASHK-un për orët e humbura dhe kompenzimin e tyre.

Bytyqi ka folur të martën në “IMAZH” te RTK.

“Pengimi i zbatimit të vendimit të Gjykatës nga kushdo është vepër penale. Ne jemi shtet që funksionojmë në bazë të ligjeve dhe Kushtetutës, këtë duhet respektuar të gjithë, nuk mund të ketë këtu anarki”, ka thënë ai.

Sindikata e Bashkuar e Arsimit e dorëzoi në Gjykatën Themelore në Prishtinë padinë ndaj vendimit të ministrit të Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Shyqiri Bytyqi, për kompensimin e orëve të humbura gjatë grevës. Gjykata Themelore, e kishte refuzuar si të pabazuar kërkesën e SBASHK-ut.

Bytyçi ka theksuar se SBASHK nuk ka në fushëveprimin e vet disa veprime që i bën. “SBASHK nuk është organ që mund të marrë vendime. SBASHK nuk është kompetent që të dërgojë njoftime nëpër shkolla”, ka thënë ai.