Ministri i Arsimit Shkencës dhe Teknologjisë, Shyqiri Bytyqi ka mirëpritur iniciativën e kryetarit të Kamenicës Qendron Kastrati, për reforma në Arsim duke thënë se ky riorganizim është i nevojshëm të bëhet në tërë Kosovën.
Bytyqi ka thënë se tashmë iu është kërkuar zyrtarisht komunave të dërgojnë informacione të sakta rreth objekteve shkollore, në mënyrë që të shikohen edhe mundësitë e adoptimit në institucione parashkollore aty ku ka mundësi.
“Kam raportuar sot para Komisionit Parlamentar për Arsim për gjithë procesin e zhvilluar për tekstet e reja shkollore, me ç’rast theksova se kanë qenë të pritshme vështirësitë në këtë proces, sepse ky është projekti më i madh që është realizuar këto vite në MAShT, por kemi marrë të gjitha masat që procesi të shkojë si duhet, duke i respektuar të gjitha aktet ligjore në fuqi.
Ligji i ri për tekste shkollore nuk ka kaluar ende për arsye buxhetore, por kjo nuk e ka penguar fare këtë proces. Ndërkohë, tekstet e reja kanë qenë shumë të nevojshme, sepse ka pasur mospërputhje të teksteve me kurrikulën e re, si dhe gabime të shumta të cilat kanë pasur tekstet e vjetra.
Para anëtarëve të Komisioni fola për gjithë mbarëvajtjen dhe punën që është bërë që nga fillimi, si dhe për shpenzimet që janë bërë gjatë gjithë procesit, e që janë rreth 76 mijë euro në tërësi”, ka njoftuar Bytyqi.







