Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit Hajrulla Çeku ka publikuar projektet se si do të duken katër stadiumet në katër qendra të mëdha të Kosovës.
Ai ka thënë se Peja e Ferizaj po bëhen më stadiume të ri ndërsa në Prizren e Vushtrri do të kemi rinovime totale.
Të gjitha këto stadiume do të kenë pamje spektakolare dhe do t’i plotësojnë kriteret për ndeshje ndërkombëtare, shkruan Ballkani.info.
“Edhe katër investime të mëdha në stadiumet e futbollit. Peja e Ferizaji po bëhen me stadiume të reja, Prizreni e Vushtrria me rinovim total.
Ka përfunduar hartimi i projekteve zbatuese për stadiumet e Pejës, Ferizajit, Prizrenit dhe Vushtrrisë, ndërsa sot i kemi shpallur procedurat e prokurimit. Nga 19 milionë euro për Pejën e Ferizajin, 13 milionë për Prizrenin dhe pesë milionë për Vushtrrinë (për stadiumin e Vushtrrisë komuna ka hartuar projektin dhe bashkëfinancon rinovimin me 20 përqind).
Vazhdojmë me vendosmëri të plotë zbatimin e planit tonë pesë vjeçar për konsolidimin e infrastrukturës së futbollit në vend”, ka shkruar Hajrulla Çeku. /Ballkani.info










