Ministrja e Arsimit

“Ministre shko pi pak ujë” – Deputetët e opozitës e detyrojnë Nagavcin të largohet nga Komisioni për Arsim

Pas përplasjes në mes të deputetëve të opozitës, posaçërisht të atyre të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), me Ministren e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci, kjo e fundit e nervozuar e ka lëshuar mbledhjen e Komisionit për Arsim.

Nagavci, në formë demonstrative, është larguar nga mbledhja e komisionit, në momentin kur po debatonte me deputetin e PDK-së, Ardian Kastrati.

Me një ton tejet të lartë, Nagavci, para se të largohej, po u thoshte deputetëve të opozitës se “një ligj që s’e keni bërë vetë në qeveri… 10 vjet nuk e keni bërë një ligj, 5 qeveri s’e kanë bërë kurrë”.

Nga ana tjetër, deputeti Kastrati i tha Ministres Nagavci se “kur vimë ne në qeveri na trego ti, këtu na të tregojmë ty çka ke me bë ti”, derisa ajo u përgjigj duke thënë se “ju kam raportuar dje”, duke iu referuar seancës parlamentare së të enjtes ku u diskutua në lidhje me formimin e një komisioni parlamentar për procesin e subvencionimit të blerjes së teksteve shkollore dhe mjeteve mësimore për nxënësit e nivelit të arsimit fillor dhe arsimit të mesëm të ulët për vitin shkollor 2023/2024.

Në momentin kur Nagavci u ngrit për t’u larguar, deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Vlora Dumoshi, i tha “dil shko pi ujë pak”, duke ironizuar kështu me të për shkak të nervozizmit të saj.

BONUS VIDEO| 150 euro gjobë dhe 3 muaj konfiskimi i mjetit, rregulla të ashpëra për përdoruesit e trotinetit