Niko Peleshi

Ministrat e Mbrojtjes takohen në Bruksel, Peleshi: Temë edhe kërcënimi i Kosovës nga Serbia

Ministrat e Mbrojtjes janë mbledhur ditën e sotme në Bruksel, ku i pranishëm është dhe ministri i Shqipërisë, Niko Peleshi.

Ky i fundit, në një intervistë për “Euronews Albania”, tregoi se cilat çështje do të trajtohen në këtë mbledhje.

Ai theksoi se do të ngrenë shqetësimin e vatrave të nxehta në Ballkanin Perëndimor, konkretisht kërcënimin e Kosovës nga Serbia.

“Jemi këtu dhe për të sjellë gjithmonë vëmendjen dhe rëndësinë strategjike që Ballkani Perëndimor ka. Çështjet e sotme lidhen me angazhimin e  vendeve për të alokuar 2% e GDP së tyre për sigurinë dhe mbrojtjen. Është në agjendën e NATO-s nevoja për t’i bërë më mobile dhe më të qarkullueshme kapacitetet ushtarake në rast nevoje apo agresioni. Do ngremë çështjet e korridorit të 8-të. Ajo që na shqetëson më shumë janë vatrat e nxehta në Ballkanin Perëndimor, siç është veriu i Kosovës apo provokimet nga Republika Sërpska”, tha ai.

I pyetur nëse NATO është e shqetësuar për armatimin e Serbisë, Peleshi theksoi: “Shtrirja e influencës ruse në Ballkanin Perëndimor apo edhe e Kinës shikohet me shqetësim dhe nga NATO shikohet si një premisë për të pasur riaktivizim të konflikteve”.

“Ka disa vende të krahut lindor të NATO-s, duke filluar nga vendet baltike që ndjehen të kërcënuar nga Rusia dhe çështja është nëse do të ndodhë, larg qoftë, që konflikti në Ukrainë të mos përfundojë me fitoren e Ukrainës, kjo do të sillte një pikëpyetje për të gjithë vendet baltike se kush ka radhën më pas”, u shpreh ministri Peleshi.

BONUS VIDEO| Në fshatin Peran të Podujevës të mërkurën është bërë zbulimi i shtatores së Albin Kurti